RTSH 24 Live

Kronika e zeze

Vrau efektivin e policisë në Lezhë, ndërron jetë në spital 21-vjeçari

29/09/2021

Vrau efektivin e policisë në Lezhë, ndërron jetë në spital 21-vjeçari

Ndërroi jetë në spitalin e Traumës 21-vjeçari Aldi Rama, i cili paraditen e së martës qëlloi me plumb në zemër efektivin e policisë, Saimir Hoxha.
Sipas bluzave të bardha, i riu qëlloi veten me pistoletë në fyt dhe u intubua, por nuk arriti dot të mbijetojë.
Ai qëlloi veten në lagunën e Kune-Vainit gjatë operacionit të RENEA-s për arrestimin e tij, pas vrasjes së efektivit të policisë.
Ekzekutimi i efektivit ndodhi në orën 10:30 të së martës në zonën e Ishull Lezhë, ku Aldi Rama hapi zjarr ndaj efektivëve të policisë, e ku mbeti i vdekur në krye të detyrës nënkomisari Saimir Hoxha, babai i dy fëmijëve. 
Katër efektivët kishin kontrolluar territorin dhe kishin asgjësuar disa rrënjë kanabis në zonë dhe në kthim kishin konstatuar automjetin pa targa në të cilin ishte dhe autori i vrasjes. Pasi i ndaluan, 21-vjeçari qëlloi fektivin.
Aldi Rama u largua me shpejtësi në mes të pyllit, kurse policia mundi të arrestojë dy personat që ishin në automjet me Aldi Ramën në momentin e ngjarjes, Kristian Sherrin dhe Armando Markun. 
Mendohet se në automjet ka qenë dhe një person i katërt, i cili është ende në arrati.
Aldi Rama ishte me precedent të mëparshëm penal, pasi në moshën 18-vjeçare kishte përfunduar në burg, pasi ishte akuzuar për vjedhje dhe posedim kanabisi, ndërkohë që ishte kallëzuar edhe nga e dashura e tij për dhunë fizike. 
Edhe në vitin 2020 ai është ndaluar për mbajtje pa leje e armëve të ftohta.
Ministria e Brendshme ka nisur procedurat për shpalljen “Dëshmor i Atdheut” të oficerit të rënë në krye të detyrës, 44-vjeçarit Hoxha.