RTSH 24 Live

Aktualitet

Vrau Arjan Gosën në Kavajë në prani të të atit, vetëdorëzohet në polici, Habib Rexha

23/05/2023

Vrau Arjan Gosën në Kavajë në prani të të atit, vetëdorëzohet në polici, Habib Rexha

Vetëm 48 orë ka zgjatur arratia e Habib Rexhës, autori i dyshuar i vrasjes së Arjan Gosës, në një lokal në Kavajë, ku ishte me të atin. Rexha është vetëdorëzuar në policinë e Kavajës.

Lajmi bëhet i ditur nga Policia e Shtetit, e cila, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, bëri të ditur se si rezultat i veprimeve kërkimore, pamundësisë së largimit dhe negociatave me familjarët, shtetasi Habib Rexha u vetëdorëzua në Komisariatin e Policisë Kavajë.

“Në vijim të veprimeve kërkimore të kryera nga strukturat e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe ato të DVP Tiranë, për kapjen e autorit të vrasjes së shtetasit A. G., të kryer më datë 21.05.2023, ju informojmë se krahas kërkimeve intensive të zhvilluara për kapjen e shtetasit Habib Rexha, strukturat e Policisë negociuan dhe me familjarët me qëllim dorëzimin e këtij shtetasi. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.’- thuhet në njoftimin e policisë.  

Me 21 maj, Habib Rexha dyshohet se vrau me një plumb në kokë 48-vjeçarin Arian Gosa, i cili ishte duke pirë kafe me babanë e tij në një lokal në Kavajë. Policia arriti të identifikojë shumë shpejt autorin e dyshuar, duke publikuar edhe një foto të tij, si dhe vuri në dispozicion 10 mijë euro për çdo informacion që çonte në kapjen e tij. 

Pista e hakmarrjes dyshohet se ishte motivi i krimit, pasi Habib Rexha, është vëllai i Altin Rexhës, i cili mbeti i vrarë në një vrasje të dyfishtë në muajin mars të këtij viti në Kavajë, ku mbeti i vrrë edhe shtetasi, Edmond Gosa. 

/rtsh.al/