RTSH 24 Live

Kronika e zeze

Vrasja te Komisariati nr.3, polici 25-vjeçar: E qëllova kolegun se më tallte prej kohësh!

24/05/2022

Vrasja te Komisariati nr.3, polici 25-vjeçar: E qëllova kolegun se më tallte prej kohësh!

Një efektiv i patrullës së përgjithshme të komisariatit të policisë nr.3 në Tiranë, në rrugën “Mine Peza”, mbeti i plagosur rëndë dhe më pas vdiq në spital, pasi u qëllua gjashtë herë me armë zjarri nga kolegu i tij.

Ngjarja ndodhi të hënën në mbrëmje, rreth orës 21:20, në ambientet e komisariatit, gjatë kohës së kryerjes së instruktazhit për efektivët e patrullës që duhej të merrnin turnin e tretë.

Çaush Saliasi 55-vjeç mori plagë të rënda pasi u qëllua nga kolegu i tij, Ludian Zaimi. Polici Saliasi vdiq në sallën e operacionit, pak kohë pasi mbërriti në Spitalin e Traumës.

Burime jo zyrtare thonë se dyshohet se konflikti ka nisur për shkak se autori i krimit është ndjerë i vënë në lojë herë pas here nga kolegët e tjerë ndër ta edhe Saliasi.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, po heton rastin ndërsa i dyshuari është arrestuar tashmë. Po ashtu arma e krimit, që është edhe e shërbimit në përdorim të Zaimit, u sekuestrua nga hetuesit.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ndërkohë tha se janë ngritur dy grupe hetimore për të hetuar për përgjegjësitë e mundshme administrative.

Ndërkohë, një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi në Kombinat, ku një efektiv i repartit Shqiponja, në gjendje të dehur, plagosi me armë një 60-vjeçar, me probleme të shëndetit mendor.

/rtsh/