RTSH 24 Live

Kronika e zeze

Vrasja në Fier, dyshime për vrasës me pagesë, në kërkim dy persona

25/10/2021

Vrasja në Fier, dyshime për vrasës me pagesë, në kërkim dy persona

Policia dhe prokuroria e Fierit kanë dyshime se vrasësit e Demir Backës në Fier janë vrasës me pagesë. Këto dyshime janë ngritur mbi provat e mbledhura në vendin e ngjarjes, si dhe disa xhirime të kamerave të sigurisë në zonë, nga të cilat është mundur të dokumentohet fakti, se dy ekzekutorët sapo kanë kryer vrasjen janë larguar drejt Vlorës.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije, se dyshohet që në ekzekutim kanë marrë pjesë tre persona, dy drejtpërdrejt ndërsa një tjetër ka shoqëruar autorët e krimit.

Ndërkohë, policia shoqëroi gjatë së dielës 23 persona, të cilët u dyshua se kishin informacion mbi vrasjen, por u lanë të lirë pasi nuk ekzistojnë prova për përfshirjen e tyre.

57-vjeçari, Demir Backa u ekzekutua në automjetin e tij që ndodhej i parkuar para një qendre tregtare në Fier, në një zonë me lëvizje të shumta dhe në një rrugë kombëtare.

Grupi hetimor ndërkohë, po punon në disa pista, një prej të cilave ka të bëjë me një krim të kryer 23 vite më parë, atëherë kur viktimës i kanë ekzekutuar motrën dhe bashkëshortin e saj në afërsi të shkollës së Muzikës në Fier.

Pista e dytë ka të bëjë me një konflikt për një pjesë të lagunës në Lushnjë, në Gotull si dhe për disa prona në Darëzezë.

Por, është duke u hetuar edhe mbi një konflikt që dyshohet se ka ndodhur mes Backës dhe një personi me precedent penal në Fier, i cili më herët është deklaruar edhe subjekt i OFL-së nga Policia e Shtetit.