RTSH 24 Live

Politikë

Vota e emigrantëve, KQZ letër Komisionit për Reformën Zgjedhore: Plotësoni boshllëkun ligjor

24/01/2023

Vota e emigrantëve, KQZ letër Komisionit për Reformën Zgjedhore: Plotësoni boshllëkun ligjor

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i ka dërguar një letër Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore për plotësimin e boshllëkut ligjor për të bërë të mundur votën e emigrantëve.

Duke iu referuar edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Celibashi kërkon nga komisioni që të plotësojë kuadrin ligjor në mënyrë që dhe KQZ të vijojë punën me përgatitjen e kushteve për realizimin e votimit nga jashtë vendit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Sikurse mundet të kuptohet edhe nga urdhërimi i Gjykatës Kushtetuese plotësimi i boshllëkut ligjor në lidhje me votimin nga jashtë sa më shpejt të jetë e mundur, krijon kushtet objektive për KQZ Shqipëri për miratimin e akteve përkatëse nënligjore, si dhe përgatitjen e kushteve për realizimin e votimit nga jashtë për zgjedhjet e radhës për Kuvendin” thuhet në kërkesën e KQZ.

Më herët edhe Kushtetuesja urdhëroi Kuvendin të plotësojë kuadrin ligjor për mundësimin e votës së emigrantëve brenda një viti kalendarik.

Komisioni i Reformës Zgjedhore pritet të përcaktojë se si do të bëhet identifikimi i emigrantëve, mënyrën e votimit dhe numërimin e votave.

/rtsh.al/