RTSH 24 Live

Politikë

Vota e emigrantëve, Gjiknuri: Zgjidhjet ekzistojnë! Alibeaj: Diaspora të jetë zonë zgjedhore me vete! Jo votim me postë

24/05/2022

Vota e emigrantëve, Gjiknuri: Zgjidhjet ekzistojnë! Alibeaj: Diaspora të jetë zonë zgjedhore me vete! Jo votim me postë
Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, i pranishëm në tryezën e organizuar nga OSBE dhe KQZ për votën e emigrantëve, u shpreh se zgjidhjet janë të mundshme. Sipas tij, KQZ është e pajisur me bazën ligjore që të gjejë mënyrat se si mund të arrihet dhe se të gjitha palët politike janë dakord që vota e diasporës të bëhet e mundur.

"Ne arritëm që të sanksionojmë një të drejtë që nuk mendonim se do të arrihej, për shkak të paragjykimeve që kishim. KQZ është i pajisur me bazën ligjore për të eksploruar mënyrat sesi të arrihet vota e emigrantëve. Vullneti është shprehur aty, jam i bindur që të gjitha palët janë dakord që vota e diasporës të bëhet e mundur, kemi kohë deri në zgjedhjet parlamentare. Zgjidhjet ekzistojnë, janë të parashikuara sepse tashmë kemi një regjistër që regjistron edhe qytetarët që janë jashtë vendit, nuk do të jenë në listat e zgjedhësve që votojnë në Shqipëri po  në një listë të veçantë”, tha ai.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj u shpreh se qëndrimi i tyre bazohet në 3 pika kryesore: diaspora duhet të jetë një zonë zgjedhore e posaçme, përfaqësuesit e tyre duhet të jenë në parlament dhe jo votim me postë.

"Shumica e shqiptarëve nuk ndodhen në vend, janë larguar, Kushtetuta ua garanton shtetasve të drejtën e votës, qëndrimi ynë është i thjeshtë dhe i kuptueshëm, bazohet në 3 pika kryesore, po diaspora duhet të votojë, madje duhet të votojë duke pasur të drejtën e përfaqësimit drejtpërdrejtë të identifikuar, diaspora duhet të jetë një zonë zgjedhore e posaçme, përfaqësuesit e tyre duhet të jenë në parlament, votimi me postë për këdo mëndje të arsyeshme duke parë se ca ka ndodhur është i papranueshëm, standardi i garancisë së mbrojtjes së votës, si është për shqiptarët brenda vendit, duhet të jetë edhe me garancitë e votës së diasporës dhe emigrantëve, ky do të ishte elementi që do të çlironte çdo lloj frike, që me votën e diasporës, që është jo vetëm larg syve, por edhe larg zemrës të mos kishte lojëra politike. Një barrë e rëndë, që do ishte instrumenti i bie dhe KQZ, teknologjia ka ecur dhe ka avancuar dhe ka një eksperiencë të mirë ato element garantistë", tha Alibeaj.

E pranishme në këtë tryezë ishte edhe ambasadorja e SHBA, Yuri Kim e cila tha se ka ardhur koha që të merren hapat e duhur në mënyrë që diaspora të ushtrojë të drejtën për të votuar. Ndërkohë kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi u shpreh se synimi është procesi të përfundojë në vjeshtën e vitit që vjen.

/rtsh.al/