RTSH 24 Live

Rajon

Von der Leyen në parlamentin maqedonas: Nëse pranoni propozimin francez, javën e ardhshme Konferenca Ndërqeveritare

14/07/2022

Von der Leyen në parlamentin maqedonas: Nëse pranoni propozimin francez, javën e ardhshme Konferenca Ndërqeveritare

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut është mbledhur këtë të enjte për diskutime rreth propozimin francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë, një proces që do t’i hapte rrugën nisjes së bisedimeve për anëtarësim në BE.

Gjatë seancës plenare të Kuvendit Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, drejtuar deputetëve maqedonas tha se në rast pranimi të propozimit francez nga ana e tyre, Konferenca e parë Ndërqeveritare do të nisë javën e ardhshme.

“Ne do të jemi krah jush, nesër e në vijim. Ne jemi të bindur që kjo është diçka historike por vendimi ju takon ta merrni ju për propozimin francez. Në lidhje me të shkuarën ju keni të drejtë të zgjidhni. Me marrëveshjen e Prespës ishte një zhvillim shumë i rëndësishëm. Nëse ju pranoni propozimin francez, konferenca e p[arë ndërqeveritare do të nisë që javën e ardhshme. Ne më pas do të jemi të lumtur që të presim delegacionin tuaj në Bruksel.'- tha ajo. 

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u takua me presidentin Stevo Pendarovski si dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski. 

Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, prej kohësh, kanë mospajtime për çështjen e gjuhës, të identitetit dhe të së kaluarës historike, që kanë bllokuar integrimin e mëtejshëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. 

Propozimi i presidenti francez Macron është parë si një mënyrë zgjidhje e ngërçit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut ku adresohen të gjitha pengesat që palët kanë lidhur me gjuhën dhe historinë. Nëse pranohet ky propozim i hap rrugën Maqedonisë së Veriut drejt BE, ndërsa parashtron që mosdakordësitë mes Sofjes dhe Shkupit të vijojnë të trajtohen në vijimësi.

Por qytetarët në Shkup kundërshtojnë propozimin e Macronit për heqjen e vetos bullgare, pasi pretendojnë se propozimi francez lejon“bullgarizimin” e Maqedonisë së Veriut dhe nuk njeh as gjuhën e as historinë maqedonase.

/rtsh.al/