RTSH 24 Live

Botë

Von der Leyen: Do të kufizojmë udhëtimet nga Afrika Jugore për shkak të variantit të ri

26/11/2021

Von der Leyen: Do të kufizojmë udhëtimet nga Afrika Jugore për shkak të variantit të ri

Komisioni Evropian do të kufizojë udhëtimet ajrore nga Afrika Jugore për shkak të frikës për një variant të ri të Covid-19, shkroi në Twitter presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

”Komisioni Evropian do të propozojë, në koordinim të ngushtë me shtetet anëtare, për të aktivizuar frenimin e emergjencës për të ndaluar udhëtimin ajror nga rajoni i Afrikës Jugore për shkak të variantit B.1.1.529″, shkroi në Twitter Von der Leyen.

Potencialisht shumë ngjitës dhe me mutacione të shumta, një variant i ri i COVID-19 është zbuluar në Afrikën e Jugut, që po sheh shenja të një vale të re të një pandemie, njoftuan  shkencëtarët.

“Varianti B.1.1.529 tregon një numër jashtëzakonisht të lartë mutacionesh dhe mund të shohim se ka potencialin të përhapet shumë shpejt”, tha virologu Tulio de Oliveira në një konferencë për shtyp në internet të mbikëqyrur nga Ministria e Shëndetësisë.

Metamorfozat e virusit fillestar mund ta bëjnë atë potencialisht më të transmetueshëm, deri në pikën për ta bërë variantin mbizotërues: ky ishte rasti me variantin Delta i zbuluar fillimisht në Indi  dhe që, sipas OBSH-së, uli efektivitetin e vaksinave kundër COVID-19 në 40 për qind.

Në këtë pikë, shkencëtarët e Afrikës së Jugut nuk janë të sigurt për efektivitetin e vaksinave ekzistuese kundër formës së re të virusit.

“Ajo që na shqetëson është se ky variant jo vetëm që mund të ketë një kapacitet të rritur transmetimi, por gjithashtu të jetë në gjendje të anashkalojë pjesë të sistemit tonë imunitar”, tha një studiues tjetër, profesor Richard Lessells.

Sipas Institutit Kombëtar të Sëmundjeve Transmetuese (NICD) deri më sot janë raportuar 22 raste, që prekin kryesisht të rinjtë.

OBSH do të mblidhet të premten për të përcaktuar rrezikshmërinë e variantit./ATSH