RTSH 24 Live

Aktualitet

Viti ri shkollor, Kushi mesazh urimi për nxënësit: Angazhohemi për një vit sa më të mbarë e të suksesshëm

26/09/2021

Viti ri shkollor, Kushi mesazh urimi për nxënësit: Angazhohemi për një vit sa më të mbarë e të suksesshëm

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi uroi sot nxënësit për fillimin e vitit shkollor. “Kënaqësia më e madhe për mua është që ju nesër do të nisni vitin e ri shkollor dhe do t’i mbushni klasat tuaja me gjallëri dhe dashuri”, shprehet ministrja.

Ajo thekson se në të gjitha shkollat janë marrë masat që ky vit shkollor të jetë sa më i mbarë. “Kjo zyrë më shumë se sa e imja është e juaja dhe do të jetë gjithmonë e hapur për çdo nevojë apo shqetësim tuajin,” – u thotë ministrja Kushi nxënësve të klasave të ndryshme që kanë vizituar ministren në zyrë.

Ajo u bën thirrje nxënësve që t’i kushtojnë kujdes maksimal masave antikovid. “Siguria dhe shëndeti juaj është elementi më i rëndësishëm për të gjithë ne, prandaj lutja ime për ju është që t’i respektoni të gjitha masat në shkollë,”- nënvizon Kushi.

Në videomesazh kanë përcjellë mesazhe të veçanta edhe nxënës të klasave dhe shkollave të ndryshme.

Ruajtja e higjienës dhe mbajtja e maskave, ishte një prej mesazheve, ndërkohë që janë përcjellë edhe disa nga risitë që vijnë këtë vit për herë të parë në shkolla, si anglishtja për klasat e para, arti e zejet, apo klasat sportive.

Ndërkohë që edhe nisma “Librat Falas”, vlera e periudhës së mësimit plotësues që nisi më 1 shtator, mesazhi i maturantit, si dhe rëndësia e kushteve të mira në shkolla për mbarëvajtjen e mësimnxënies, ishin ndër mesazheve të nxënësve.