Edhe pse moti ka qenë i ngrohtë dy javët e fundit në qytetin e Elbasanit, rastet e fëmijëve të prekur nga virozat e stinës, si virozat respiratore dhe virozat gastrointestinale, janë në shifra tejet të larta.
Sipas bluzave të bardha të pediatrisë së Elbasanit, çdo ditë paraqiten 80-100 raste të fëmijëve të prekur. Këto sëmundje shfaqen me temperaturë të lartë, të vjella dhe diarre. Tek sëmundjet që prekin traktin respirator, si bronkit akut apo bronkopneumoni, shfaqen vështirësi në frymëmarrje, temperaturë e lartë dhe ethe.
Aktualisht, në pavionin e pediatrisë janë të shtruar rreth 40 raste të cilët marrin mjekim. Pediatria këshillon prindërit që të shtojnë kujdesin që në momentet e para të shfaqjes së sëmundjes.
Ndërkohë, këtë javë, mjekja Irena Palloshi shprehet se përveç rasteve me viroza stinore, ka pasur 4 raste të fëmijëve që kanë gëlltitur sende që mund të tejet të rrezikshme për fëmijët dhe nëse ndihma nuk është e shpejtë, çon deri në fatalitet.
Mjekja bën apel për të gjithë prindërit që të bëjnë kujdes me të gjitha sendet që i lënë fëmijëve në duar.
/RTSH/