RTSH 24 Live

Kronika

Vijonë kontrollet në rrugët e kryeqytetit me makinën inteligjente

21/10/2021

Vijonë kontrollet në rrugët e kryeqytetit me makinën inteligjente

 Makina inteligjente e Policisë Rrugore ka konstatuar mbrëmjen e së mërkurës në rrugët e kryeqytetit 205 shkelje për shpejtësi. Policia e Shtetit njoftoi se, vijon monitorimi i qarkullimit në rrugët e kryeqytetit me makinën inteligjente.

“Me qëllim parandalimin e  aksidenteve rrugore, Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore në bashkëpunim me Policinë Rrugore të Tiranës vijojnë monitorimin e qarkullimit të automjeteve duke përdorur  makinën inteligjente me intervale të shkurtra kohore në të gjitha rrugët e kryeqytetit, në unazën e re dhe në segmentin Sauk – Teg”, theksoi Policia e Shtetit.

“Gjatë orëve të mbrëmjes në rrugët e kryeqytetit me intervale kohore të shkurtra në shumë pika dhe njolla të zeza ku kanë ndodhur më parë aksidente rrugore, makina inteligjente ka konstatuar 205 shkelje për shpejtësi, nga të cilat janë evidentuar 35 raste me shpejtësi nga 89 km/h deri në 105  km/h, dhe në rrugën e Tegut deri në 164 km/h”, shton policia.

Gjithashtu, nënvizon Policia, “po gjatë verifikimit rezultoi se krahas shpejtësisë, një numër i madh i drejtuesve të mjeteve kishin bërë dhe një shkelje të dytë, konkretisht 88 ishin edhe për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, 54 për mosvendosje të rripit të sigurimit”.

Ndërkohë, vijoi Policia, “si rezultat i kontrolleve intensive në të gjitha rrugët e vendit, duke përdorur radarë, dronë, mjete të paloguara, kamera, aparate fotografike e alkooltestues, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë vendosur 1110 masa administrative për shkelje që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore”.

“Nga monitorimi me radarë dhe alkooltestues janë pezulluar edhe 40 leje drejtimi për shpejtësi dhe për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit”, thuhet në njoftim.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e profesional.