RTSH 24 Live

Aktualitet

Vijon vaksinimi, Manastirliu: Lehtësim për vitin e ri shkollor!

10/06/2021

Vijon vaksinimi, Manastirliu: Lehtësim për vitin e ri shkollor!

Ka vijuar sot vaksinimi i pedagogëve dhe mësuesve me dozën e dytë të vaksinës “AstraZeneca”. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka ndjekur nga afër procesin e vaksinimit në Arenën Kombëtare, ku theksoi rëndësinë që dozat e dyta të bëhen sipas kalendarit të vaksinimit, duke shtuar se në të gjitha pikat e tjera vaksinimi po vijon normalisht.“Është shumë e rëndësishme që edhe dozat e dyta të bëhen sipas kalendarit të vaksinimit për të gjitha kategoritë, për të gjitha grupmoshat edhe për të gjitha llojet e vaksinave. Sot kemi vaksinimin e mësuesve, pedagogëve, edukatorëve. Ndërkohë që në sheshin “Skënderbej” dhe në të gjithë pikat e tjera vijon vaksinimi sipas grupmoshave, duke vijuar edhe me të gjithë pjesën tjetër të qytetarëve, të cilët kanë sëmundje kronike dhe i përkasin moshës deri 60 vjeç.”tha ajo
Manastirliu u shpreh se ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik rekomandojmë dozën e dytë edhe pas disa ditëve, sipas specifikave të vaksinës, duke u shprehur se vaksinimi do të vijojë me të njëjtin ritëm dhe kujdes për të mbrojtur sa më shumë qytetarë.“Ne vijojmë me të njëjtin kujdes edhe me të njëjtin ritëm, për të mbrojtur sa më shumë qytetarë, sipas grupmoshave por edhe kategorive më të rrezikuara. Kategoria e mësuesve është shumë e rëndësishme sepse na jep një lehtësim shumë të madh për vijimin e qëndrueshëm të vitit shkollor që fillon në shtator.”, u shpreh Manastirliu.