RTSH 24 Live

Kulturë

Vijon puna për ruajtjen e vlerave të kishës “Shën Mëria e Maligradit”

28/06/2021

Vijon puna për ruajtjen e vlerave të kishës “Shën Mëria e Maligradit”

Pas restaurimit të çatisë në kishën e Shën Mërisë së Maligradit po vijon puna për ruajtjen e vlerave të këtij monumenti.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila thekson se ky destinacion nuk duhet humbur pa u vizituar nëse shkoni në Pogradec a në Korçë.

“Shën Mëria e Maligradit, një nga atraksionet turistike më të bukura, për t’u vizituar në çdo stinë, mes ujërave të Prespës dhe vegjetacionit të harlisur. Pas restaurimit të çatisë së kishës, ADZM së bashku me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë vazhdojnë punën për ruajtjen e vlerave të këtij monumenti. Në shkoni në Pogradec a në Korçë, kthehuni e shijoni afresket e rralla dhe bimësinë e egër të ishullit. Një aventurë që s’duhet humbur”, shprehet Margariti.

Kisha e “Shën Mërisë” ndodhet në shpellën e Maligradit në liqenin e Prespës dhe i përket shekullit XIV. Ajo është një nga monumentet më me vlerë të trashëgimisë kulturore. Në këtë ishull janë gjetur edhe objekte si tjegulla, kolona e kapitele që i përkasin sipas arkeologëve një kishe paleokristiane që mendohet të ketë qenë në pjesën e sipërme të liqenit.

Sipër këtij ishulli ndodhen edhe rrënojat e vilës verore të Car Simeonit të Bullgarisë të shekullit XI. Kisha e Shën Mërisë është një thesar  i vjetër e cila ka shërbyer si një objekt i rëndësishëm  shpirtëror për prijësat shqiptar. Mbishkrimet që gjenden në këtë kishë i përkasin periudhave të ndryshme të lidhura me historinë e këtij monumenti. Një nga mbishkrimet më të vjetra që është datuar në këtë kishë i përket vitit 1345 dhe fazës së parë të zbukurimit të kësaj kishe me afreske.