RTSH 24 Live

Sociale

Vetmia, shqetësim global – Në Shqipëri, 1 në 4 të moshuar mbi 80 vjeç të kërcënuar nga izolimi

21/11/2023

Vetmia, shqetësim global – Në Shqipëri, 1 në 4 të moshuar mbi 80 vjeç të kërcënuar nga izolimi

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka klasifikuar vetminë si një kërcënim global. Sipas ekspertëve efektet e vdekjeprurëse të vetmisë janë të njëjta me dëmin e tymosjes së 15 cigareve në ditë.

Na dhemb shpirti për nipër e për mbesa, edhe për fëmijët, me sinqeritet. Ngado që të vesh je vetëm. Unë kam gruan të verbër. Unë i qëndroj te koka, i jap për të ngrënë e për të pirë për çdo gjë. T'ua prishim të ardhmen fëmijëve? Çfarë do bëjnë ata këtu?” shprehen të moshuarit.

Vetmia është një bombë e vërtetë e cila na vret gradualisht dhe në një moment të caktuar ajo shpërthen dhe kostoja është fundi ynë. Unë fëmijët i kam në emigracion, vetë jam mbi 70 vjeç, me probleme shëndetësore. Llogarite të gdhihesh e të ngrysesh vetëm. Nata është e tmerrshme. Kur i bie dikush derës time unë fillimisht tremben me atë çfarë po shohim se po ndodh çdo ditë e çdo natë,” thotë një tjetër i moshuar.

Eksperti Alban Ylli zbulon treguesit e vetmisë së të moshuarve ne vend të cilat në dekadën e fundit janë dyfishuar për shkak të urbanizimit, emigracionit dhe krijimit të familjeve më të vogla

"Në Shqipëri na rezulton se 1 në 4 të moshuar mbi 80 vjeç dhe 1 në 10 mbi 60 vjeç janë të izoluar. Pra fenomeni është i tillë se po rritet me shpejtësi në Shqipëri por vendi ynë duket se ka ende kanale e mekanizma të komunikimit dhe stofit social të cilët e mbrojnë deri diku të moshuarin," thotë z. Ylli.

Dëmet shëndetësore të vetmisë janë të frikshme. Degradimi fizik dhe mendor i personave të vetmuar është i shpejtë.

Kanë risk për të vdekur më shpejt, problemet e shëndetit fizik janë më të shpeshta sidomos ato kardiovaskulare dhe problemet e shëndetit mendor janë më të shpeshta.Pra të tre treguesit shkojnë keq tek individët që janë më të izoluar ose ndihen më të vetmuar. Vetmia ka çuar në ulje të mobilitetit, pra lëvizjes, dhe kështu të moshuarit që nuk përshkojnë dot 400 metra apo një palë shkallë deri në katin e dytë pa ndihmë, kanë probleme për ulje të mobilitetit dhe kështu ata janë të prirë të humbin edhe kontaktet me të tjerët, pra shtohet izolimi. Këto elementë vendosen në një qark vicioz, çojnë në një rritje të depresionit dhe të gjitha bashkë çojnë në shkurtimin e jetës,” shton z. Ylli.

E ndërsa të moshuarit po rrethohen më shumë nga kujtimet se sa nga komunikimi me të afërmit ekspertët kanë një apel:

"E kemi mbushur shtëpinë më fotografi dhe i kujtojmë më radhë," thotë një i moshuar.

"Për të gjithë të rinjtë, për të gjithë ata që janë në punë, të rritur apo adultë, të bëjnë një telefonatë, të flasin me prindërit e tyre, me gjyshërit e tyre!" sqaron z. Ylli.

Gazetare Sonila Mlloja

/ rtsh.al /