RTSH 24 Live

Aktualitet

Vendimi/ Gjyqtari Alaudin Malaj, mbetet jashtë sistemit të drejtësisë

23/02/2021

Vendimi/ Gjyqtari Alaudin Malaj, mbetet jashtë sistemit të drejtësisë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë të vettingut për gjyqtarin Alaudin Malaj. Kështu, Malaj, përjashtohet nga sistemi i drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare. Ish-gjyqtari i Gjykatës së Apelit dha dorëheqjen nga statusi i magjistratit në korrik të këtij viti, duke iu shmangur procesit të vettingut.

Malaj ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë ndërsa është folur edhe për pasurinë e tij.  Ai disponon një pasuri të deklaruar prej 1.7 milionë euro, për të cilën u hetua dhe doli i pafajshëm nga Prokuroria. 

Në shpalljen e këtij vendimi Malaj nu ka qenë vetë i pranishëm. Të martën, kur pritej mbajtja e fjalimit përfundimtar të mbrojtjes, Malaj nuk u paraqit pasi i dërgoi një email trupës gjykuese duke njoftuar se ishte sëmurë. Sipas trupës gjykuese, njoftimi i të qenit sëmurë nuk shoqërohej nga dokumentacion mjekësor për të vërtetuar sëmundjen.

Për shkak të dorëheqjes, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli në shtator pranimin e dorëheqjes dhe ndalimin e Malajt nga emërimi në sistemin e drejtësisë për një periudhë pesëmbëdhjetë vjeçare.

Malaj u shpreh i pakënaqur ndaj këtij vendimi dhe u ankua në KPA, ku ngriti mes të tjerash pretendime për konflikt interesi të dy anëtareve të trupës gjykuese të KPK-së që vendosi pranimin e dorëheqjes ndërsa pretendoi se është nën përndjekje nga segmente të politikës dhe të policisë së shtetit. Të gjitha pretendimet e tij u rrëzuan nga KPA.