RTSH 24 Live

Aktualitet

Vendimi: 55 vite burg për grupin e Emiljano Shullazit

03/12/2021

Vendimi: 55 vite burg për grupin e Emiljano Shullazit

Pas disa seancave të dështuara, Gjykata e Posaçme e Apelit ka shpallur vendimin për Emiljano Shullazin dhe grupin e tij, të akuzuar për një sërë veprash penale. GJKKO ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, ku ata dënohen me 55 vite burg në total. Dënohet me 14 vite burg Emiljano Shullazi. Po kështu GJKKO vendosi 12 vite burg për Gilmando Dani, Endrit Qyqja, 10 vite burg, Endrit Zela 10 vite burg; Blerim Shullazi 9 vite burg.

Në seancën e shkuar trupi gjykues mori vendim ta zhvillojë seancën edhe pa praninë e avokatëve, mungesa e të cilëve kishte bërë që procesi të dështonte disa herë. Të pranishëm në gjykatë ishin vetëm të pandehurit Emiljano Shullazi Gilmando Dani, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela pa avokatët e tyre mbrojtës.

Shullazi dhe anëtarët e bandës së tij akuzohen për një seri krimesh. Procesi gjyqësor u zhvillua nën masa të rrepta sigurie për shkak të çështjes së ndjeshme. Që prej nisjes së procesit në dhjetor të vitit 2018, numri i seancave të shtyra në Apel ka qenë mbi 40, duke futur gjyqin në ngërç.

Kujtojmë se në fund të muajit korrik Shullazit iu shty edhe me një vit izolimi më regjimin ‘41 bis’. Në vitin 2018 Krimet e Rënda dënuan me 55 vite burg Emiljano Shullazin, Gilmando Danin, Endrit Qyqja dhe Endit Zela si dhe Blerim Shullazin. Për Shullazin u dha 14 vite burg, ndërsa ai bashkë me bandën e tij akuzohen për krijim të grupit të strukturat kriminal, gjobëvënie dhe kanosje për shkak të detyrës.