RTSH 24 Live

Kosova

Vendet e Kuintit i kanë bërë thirrje qeverisë Kurti që të lejojë referendumin e 16 janarit për ndryshimet në kushtetutën serbe

14/01/2022

Vendet e Kuintit i kanë bërë thirrje qeverisë Kurti që të lejojë referendumin e 16 janarit për ndryshimet në kushtetutën serbe

Përmes një deklarate të përbashkët për shtyp, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë organizimin në territorin e saj të referendumit për ndryshimet e kushtetutës serbe ashtu siç është praktikuar në të shkuarën në procese të ngjashme zgjedhore, duke kërkuar që të lejohet që OSBE-ja të mbledhë fletëvotimet e serbëve që jetojnë në Kosovë. “Vërejmë me keqardhje se Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, shkruhet në deklaratë ku më tej theksohet se këto shtete“mirëpresin referendumin kombëtar të Serbisë të 16 janarit për ndryshimet kushtetuese si një hap kyç për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të rritur transparencën dhe efektivitetin e institucioneve të shtetit të sundimit te ligjit”.  Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian  gjithashtu i bëjnë thirrje Kosovës e Serbisë të përmbahen nga veprimet dhe retorikat që rrisin tensionet dhe të angazhohen në dialog."Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hap perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal”, thuhet në deklaratë.  Megjithëse se Qeverisëë së Kosovës i është kërkuar edhe nga shefi i diplomacisë së BE-së Josep Borrel që të lejojë zhvillimin e këtij referendumi në territorin e saj, ajo është treguar e prerë në këtë cështje.  Sipas autoriteteve kosovare, në respekt të praktikave më të mira ndërkombëtare, qytetarët serbë në Kosovë mund të votojnë përmes postës ose në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë.