Vëllimi i tregtisë së jashtme të Kinës arriti në 6.05 trilionë dollarë në vitin 2021, duke tejkaluar për herë të parë shifrën prej 6 trilionë dollarësh, treguan të premten të dhënat nga Administrata e Përgjithshme e Doganave.

I llogaritur në monedhën kineze, vëllimi i tregtisë së jashtme të Kinës arriti një rekord prej 39.1 trilionë juanësh vitin e kaluar, 21.4 për qind më shumë se në vitin 2020. Eksportet arritën në 21.73 trilion juanë, ndërsa importet 17.37 trilionë juanë, përkatësisht 21.2 dhe 21.5 % më shumë se në 2020-n.

Zëdhënësi i Administratës së Përgjithshme e Doganave, Li Kuiwen, tha se qëndrueshmëria e ekonomisë kineze dhe rimëkëmbja e ekonomisë globale e ndihmuan tregtinë e Kinës të ruajë hovin e fortë të rritjes.

Eksportet dhe importet kineze u rritën më ngadalë në dhjetor krahasuar me nëntorin, pasi kërkesa jashtë vendit për mallra u ul pas sezonit të festave dhe kostot e larta ushtruan trysni ndaj eksportuesve.

Dhjetorin e kaluar eksportet u shtuan me 20.9 për qind mbi bazë mujore, pas rritjes 22 për qind në nëntor, duke tejkaluar pak parashikimin e “Reuters”-it prej 20 për qind.

Ndërkohë, në dhjetor importet u rritën me 19.5 për qind, më pak se parashikimi i “Reuters”-it prej 26.3 për qind dhe se rritja prej 31.7 për qind në nëntor.