RTSH 24 Live

Sociale

Veliaj përuron shkollën e re “Bashkim Fino”: Kemi nevojë për një pajtim kombëtar!

27/09/2022

Veliaj përuron shkollën e re “Bashkim Fino”: Kemi nevojë për një pajtim kombëtar!

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministrja e Arsimit, Rvis Kushi, kanë përuruar sot shkollën “Bashkim Fino.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj tha se me këtë shkollë, që i shtohet Njësisë 2, numri i shkollave të reja të ndërtuara në Tiranë shkon në 40 gjithsej.

Vjet hapëm 14 shkolla, sivjet 12 shkolla të reja dhe 8 kopshte; do të vazhdojmë me paketën edhe vitin tjetër, por unë besoj se që nga koha e shpalljes së Pavarësisë, në Shqipëri nuk janë ndërtuar kurrë kaq shumë shkolla në një dorë. Shkolla “Kosova” është njëra prej tyre, liceu “Jordan Misja” po ashtu, edhe pse shkollë kombëtare ndodhet në Njësinë 2, shkolla e Baletit gjithashtu, bëmë edhe një rikonstruksion në shkollat “Osman Myderizi” dhe “Mihal Grameno”. Piramida do të jetë së shpejti një shkollë kombëtare, sërish e Njësisë 2. Por, besoj se një shkollë origjinale e lagjes, e mëhallës, e komunitetit tonë, është shkolla “Bashkim Fino” që hapim sot,” tha Veliaj.

Duke kujtuar ish-kryeministrin Bashkim Fino, i cili mori drejtimin e vendit me misionim e pajtimit kombëtar në vitin e vështirë 1997, Veliaj tha se ende pas 24 vitesh Shqipëria ka nevojë për pajtim kombëtar.

Kemi folur shpesh me Kryeministrin dhe një nga diskutimet që kemi pasur me Edi Ramën është: si mund të sjellim prapë pajtimin kombëtar, për të cilin Bashkimi luftoi aq shumë. Ma brengos zemrën kur shikoj çdo ditë këta që diskreditojnë njëri-tjetrin. Ishte një grup që dilte për “Samiun”, pastaj një grup për “Jeronim De Radën”, pastaj një grup që ka filluar të dalë për shkollat që po bëhen me ndihmën e OKB dhe BE, procedurat e të cilave sapo kanë filluar. Si mundet në vitin 2022 të flasim ende për pajtim kombëtar?! Si mundet në vitin 2022 të ketë njerëz që merren me politikë dhe varen te kangjellat e shkollave?! Si mund të ketë njerëz që vënë bast për dështimin e projektit tonë për shkollat?! Si mund të vësh bast kundër vendit tënd?! Sot kemi nevojë vërtet për një pajtim kombëtar!”, u shpreh Veliaj.

“Ju falenderojmë me përulësi të gjithëve për gjithë angazhimin dhe përkushtimin tuaj, për ndërtimin dhe funksionimin e shkollës që mban emrin e babait tonë. Është krenari dhe privilegj shumë i madh për ne. Ne kemi ardhur shpesh këtu me Erionin, me Arbenin, me Florin gjatë ndërtimit të shkollës, por nuk më është dukur asnjëherë kaq e bukur sa sot, që është e mbushur me nxënësit që kanë zënë vend në bankat e kësaj shkolle. Jam e bindur që edhe im atë do të kishte të njëjtin emocion dhe krenari si unë sot para jush,” u shpreh Megi Fino, vajza e ish-kryeministrit Bashkim Fino.

/rtsh.al/