RTSH 24 Live

Politikë

Veliaj në RTSH: Hapet gara për Teatrin e ri Kombëtar

04/10/2022

Veliaj në RTSH: Hapet gara për Teatrin e ri Kombëtar

Bashkia e Tiranës ka hapur garën ndërkombëtare për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. Në një intervistë në emisionin “Publikisht”, në RTSH, kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se  pas 60 ditësh pritet të nisë dhe puna në kantier për ndërtimin e shtëpisë së re të artistëve shqiptarë.

Ka punë pafund që duhen mbaruar në mandatin e 3-të, absolutisht. Ne sot sapo hapëm garën e Teatrit Kombëtar, unë besoj që në krye të 60 ditëve kur mbaron procesi i garës, duke qenë se është një garë ndërkombëtare, ne do kemi mundësi që të fillojmë punimet me shpresë rreth ditëve të “Vitit të Ri” dhe le të themi të na gjejë ‘Viti i Ri’ në atë kantier”, tha Veliaj.

Shtëpia e re e aktrimit është konceptuar të jetë si zemra kulturore e Tiranës dhe e gjithë Shqipërisë dhe e dedikuar vetëm për art. Godina e re do të fitojë një dizajn modern dhe që krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, duke ofruar të gjitha kushtet e nevojshme dhe frymëzuese për zhvillimin e talentit të aktrimit, ashtu edhe për vet publikun, i cili mund të angazhojë imagjinatën. Projekti gjithashtu garanton një akses të këmbësorëve nga rr. “Sermedin Said Toptani” në rrugën paralelë me të.

/rtsh.al/