RTSH 24 Live

Aktualitet

Vdekja e 7-vjeçares në Himarë/ Rama: Dënim ekstrem për fajtorin, vampirët politikë s'lënë plagë pa futur gojën e tyre

03/08/2022

Vdekja e 7-vjeçares në Himarë/ Rama: Dënim ekstrem për fajtorin, vampirët politikë s'lënë plagë pa futur gojën e tyre

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për tragjedinë e Himarës ku 7-vjeçarja Jonada Avdia u godit për vdekje nga një gomone teksa po lahej në plazhin e Potamit. Kreu i qeverisë shkruan se madhësia e tragjedisë e bën edhe më të madhe ligësinë e verbër të vampirëve politikë e mediatikë që kërkojnë përfitime mizerabël në shkelje të kodit moral, familjar e kombëtar. Teksa thekson se ky është sezoni më i organizuar turistik, Rama thotë se Policia e Shtetit po merr të gjitha masat për të reaguar më fort ndaj sfidës së garantimit të rendit ligjor jo vetëm në qarkullimin rrugor, po edhe atë ujor.

Madhësia e tragjedisë së djeshme në Himarë e bën edhe më të madhe se çdo herë tjetër,ligësinë e verbër të vampirëve politikë e mediatikë që s'lenë plagë pa futur gojën e tyre të përdalë, duke kërkuar përfitimet e tyre mizerabël në shkelje të çdo kodi moral, familjar, kombëtar!

Ky është sezoni më i organizuar, më i rregullt e më i pastër turistik ndonjëherë falë punës së palodhur që kemi nisur qysh shtatorin e shkuar!Ishte deri dje edhe sezoni më i qetë e më i sigurtë,me plazhet publike dhe rrjetin e vrojtuesve të plazhit organizuar si asnjëherë tjetër!

Tragjedia e djeshme ka tronditur të madh e të vogël dhe ka krijuar një ndjenjë të rëndë shqetësimi, ndërkohë që Policia e Shtetit po merr të gjitha masat për të reaguar shumë më fort ndaj sfidës së garantimit të rendit ligjor jo vetëm në qarkullimin rrugor, po edhe atë ujor.

Vizioni i Shqipërisë turistike dhe ambicia që kjo të jetë dekada e kthimit të vendit tonë në kampionin rajonal të turizmit, lidhet edhe me rritjen e lartë të mjeteve lundruese dhe sfidën e disiplinimit të tyre, që nuk është një fjalë goje në një vend ku deri dje ato s'ekzistonin!”, tha Rama.

Më tej Kryeministri u ndal te shkarkimi i trupës së drejtorisë së kufirit Vlorë duke e konsideruar si një nga hapat e duhur që sipas tij do pasohen edhe nga hapa të tjerë.

Duke thumbuar Sali Berishën dhe Ilir Metën, të cilët kanë mbështetur protestën që do të mbahen nga shoqëria civile para Ministrisë së Brendshme, Rama shkruan se ata i përdorin fatkeqësitë për të ekspozuar shëmtinë e pacipë të shpirtit të tyre. Në përfundim të statusit të tij në rrjetin social Twitter, kreu i qeverisë ka kërkuar nga drejtësia, ndëshkimin e duhur për autorin e tragjedisë.

Shkarkimi i gjithë trupës së drejtorisë së kufirit Vlorë dhe vendosja e një fokusi të shtuar mbi qarkullimin ujor,janë hapat e duhur që do të pasohen nga hapa të tjerë,në kushtet kur rritja e përvitshme e numrit të mjeteve lundruese përbën një sfidë të vazhdueshme për të gjithë!

Sa për çetat e udhëhequra nga nongratat dhe nga ata me identitet të dyfishtë që kërkojnë ta kthejnë  këtë vdekje tragjike në motiv lufte politike, kjo s'është as e para as e fundit herë kur një fatkeqësi që trondit shoqërinë, ekspozon shëmtinë e pacipë të shpirtit të tyre! Uroj edhe njëherë që drejtësia t'i japë ndëshkimin më ekstrem fajtorit për këtë tragjedi!”, shkruan Kryeministri Rama.

/rtsh.al/