RTSH 24 Live

Kulturë

Vazhdojnë përgatitjet për Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës

31/05/2023

Vazhdojnë  përgatitjet për Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, rikthehet pas 8 vitesh mungesë, për shkak të situatës së vështirë që kaloi Shqipëria pëe shkak të tërmetit të n ëntorit 2019 dhe pandemisë së covid 19.

Ky festival konsiderohet si veprimtaria më e rëndësishme në fushën e trashëgimisë kulturore jomateriale shqiptare. Ai përfshin muzikën, koreografinë, etnografinë dhe vlera të rralla të përcjella nga brezi në brez në Shqipëri.

Rreth 800 artistë nga 12 qarqet e Shqipërisë dhe 400 të tjera nga diaspora shqiptare do të dhurojnë shfaqjet e tyre nga data 24 qershor - 1 korrik. 

Në këtë edicion i cili është i 18-ti, festivali do të mirëpresë artistë dhe grupe artistike edhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, arbëreshët e Italisë, të shqiptarëve nga Greqia, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe SHBA. 

Risi këtë edicion do të jetë përfaqësimi i grupeve të të rinjve që kultivojnë muzikën folklorike.

Për herë të parëm, në festivalin e këtij viti është hequr konkurrimi midis grupeve, bazuar në konceptimin se vlerat folklorike nuk duhet të përplasen me njëra-tjetrën.

Festivali mbështetet nga buxheti i shtetit me një fond prej 135 milionë lekësh, përveç kontributit të çdo qarku.

Të ftuar gjatë netëve të këtij Festivali do të jenë grupe të mirënjohura si Elif Sanchez nga Spanja, një nga këngëtarët më të njohur të Republikës së Maqedonisë së Veriut Vladko Stefanovski, Les Swings Cabaret Musical nga Franca, për të kulmuar me natën finale me pjesëmarrjen e Orchestra Italiana të Renzo Arbores.

Po ashtu, do të marrin pjesë këngëtarët Eneda Tarifa, Dren Abazi, Marsela Çibukaj, Eranda Libohova, Andi Kongo, Ylli Baka, Era Rusi, Endri dhe Stefi Band etj.

Një sërë aktivitetesh satelite do të zhvillohen në gjithë pikat kyçe të  qytetit, duke përfshirë punëtori mjeshterie dhe artizanati, kurse këndimi dhe kërcimi, ekspozita fotografike, projektime filmash etj.

 

/ RTSH /