RTSH 24 Live

Botë

Varshava, jo më armë Kievit/Vendimi, pas komenteve të Zelenskit për ndalesën polake ndaj drithërave ukrainase

21/09/2023

Varshava, jo më armë Kievit/Vendimi, pas komenteve të Zelenskit për ndalesën polake ndaj drithërave ukrainase

Polonia, një nga aleatët më të fuqishëm të Ukrainës, ka bërë të ditur se nuk do ta furnizojë më me armë fqinjën e saj, pasi mes dy vendeve është përshkallëzuar një mosmarrëveshje diplomatike mbi eksportet e grurit të Ukrainës. 

Kryeministri polak Mateusz Moraëiecki u shpreh se në vend që të furnizojë Kievin me armë, vendi i tij do të përqendrohet tek  pajisja e ushtrisë së tij me armë më moderne për vetëmbrojtje.  Të martën që lamë pas, ministria e jashtme polake thirri ambasadorin e Ukrainës në lidhje me komentet që presidenti i vendit të tij Volodimir Zelenski dha në selinë e kombeve të bashkuara pasi Polonia, Hungaria dhe Sllovakia shtynë në kohë një ndalesë ndaj drithërave ukrainase.

Zelenski u shpreh se ishte alarmues fakti se si disa miq të Ukrainës në Europë mund të dukeshin sikur ishin të solidarizuara me Ukrainën por ndërkohë po përgatisnin terrenin për Moskën. Fjalët e tij ëarsava i dënoi sit ë pajustifikueshme, duke qenë se Polonia ka mbështetur Ukrainën që në ditët e para të luftës. 

Mosmarrëveshjet për drithërat ukrainase filluan pasi Rusia pushtoi Ukrainën dhe mbylli portet e detit të zi, duke e detyruar Kievin të gjente alternative të tjera për prodhimin e tij.  Kjo bëri që sasi të mëdha të drithërave ukrainase të përfundonin në Europën qendrore, çka bëri që Bashkimi Europian të ndalonte importet drejt Bullgarisë, Hungarisë, Polonisë, Rumanisë dhe Sllovakisë për të mbrojtur fermerët vendas çmimet e produkteve të të cilëve po pësonin ulje të ndejshme për shkak të ofertës ukrainase.

Ndalesa europiane skadoi në datën 15 shtator dhe BE vendosi të mos e shtynte në kohë, por Hungaria, Sllovakia dhe Polonia vendosën që të vijonin zbatimin e saj.

Gazetare E.Pepa

/RTSH/