RTSH 24 Live

Rajon

Varhelyi kundështon ndarjen e MV nga Shqipëria në procesin e anëtarësimit

20/10/2021

Varhelyi kundështon ndarjen e MV nga Shqipëria në procesin e anëtarësimit

Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Oliver Varhelyi deklaroi se po punon që deri në dhjetor të zhvillohet Konferenca e parë Ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut së bashku me Shqipërinë.

I pyetur nga eurodeputeti bullgar, Andrej Kovaçev nëse e pranonte ndarjen e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria për fillimin e negociatave të anëtarësimit, komisari i BE-së u përgjigj negativisht.

”Unë mendoj se është e qartë se të dy vendet i kanë plotësuar kushtet dhe ne duam një marrëveshje për të dy vendet, ky është pozicioni i më shumë se shumicës së shteteve anëtare të BE-së, në këtë moment ne mund dhe duhet t’i shqyrtojmë së bashku”, deklaroi ai.

Disa minuta para kësaj deklarate, eurodeputeti bullgar Kovaçev u bëri thirrje eurodeputetëve të mos flasin për mosmarrëveshjen midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë si një mosmarrëveshje dypalëshe.

“Kjo është një mosmarrëveshje për të drejtat e njeriut, bullgarët në Maqedoninë e Veriut kanë frikë të thonë se kush janë, kjo nuk është një temë e çmendur nacionaliste, por një temë e të drejtave themelore të njeriut siç thuhet në rezolutat e Parlamentit Evropian në 10 vitet e fundit’’, theksoi Kovaçev./ ATSH