RTSH 24 Live

Europë

Vaksinimi me detyrim, presidenti austriak nënshkruan ligjin

05/02/2022

Vaksinimi me detyrim, presidenti austriak nënshkruan ligjin

Presidenti i Austrisë ka nënshkruar një ligj që e bën vaksinimin kundër COVID-19, të detyrueshëm për të gjithë të rriturit. Ky ligj është i vetmi i këtij lloji në Bashkimin Evropian.

Ligji vlen për të gjithë të rriturit, përveç grave shtatzëna dhe personave që përjashtohen nga vaksinimi për arsye mjekësore. Ata që refuzojnë vaksinimin mund të dënohen me një gjobë prej 3,600 eurosh pas mesit të muajit mars. Presidenti Alexander Van der Bellen nëshkroi ligjin pasi Parlamenti e miratoi atë. Ligji u publikua në gazetën zyrtare dhe hyri në fuqi këtë të shtunë.

Dhjetëra mijëra persona kanë protestuar kundër vaksinimit të detyrueshëm në protesta të rregullta gjatë fundjavave në gjithë vendin, që kur kjo masë u paralajmërua në nëntor të vitit 2021. Por ligji ka një mbështetje të gjerë politike , në një përpjekje për të rritur shkallën e vaksinimit të vendit, përveç të djathtës ekstreme që është kundër. 
Aktualisht, 69 për qind e banorëve austriakë kanë certifikata se janë plotësisht të vaksinuar kundër koronavirusit - duke përfshirë dozat përforcuese.

Austria me një popullsi prej 9 milionësh ka rregjistruar më shumë se 14,000 vdekje të lidhura me COVID-19 dhe afër 2 milionë raste infektimesh.

Vaksinimet e detyrueshme kundër COVID-19 janë të rralla edhe pse Ekuadori, Taxhikistani, Turkmenistani, Indonezia dhe Mikronezia kanë prezantuar skema të tilla.