RTSH 24 Live

Aktualitet

Ushtria “blindon” Rinasin, policia pritet të nxjerrë kontrollorët nga ndërtesa

07/04/2021

Ushtria “blindon” Rinasin, policia pritet të nxjerrë kontrollorët nga ndërtesa

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, deklaroi mbrëmjen e sotme se të gjithë ata kontrollorë të AlbControl që nuk kryejnë funksionin e tyre dhe nuk do të operojnë, do të nxirren nga ndërtesa. Balluku tha se nga ky moment, ndërtesa do të merret në kontroll nga Forcat e Armatosura.

“Nga ky moment ndërtesa merrët në ruajtje nga Forcat e Armatosura. Shpresoj që vajzat dhe djemtë që janë rritur në Albcontrol t’i rikthehen detyrës. Të gjithë këta persona që nuk operojnë më dhe nuk kryejnë funksione, të gjithë këta që nuk duan ta kryejnë këtë funksion do të largohen nga ndërtesa duke filluar nga ky moment.  Keni braktisur detyrën para 3 milionë shqiptarëve, e keni kyçur derën e vetme shqiptarëve. E turpëruat Albcontrolin dhe e kthyet në dyqan. Nga institucioni i Shqipërisë, 5 mashat e politikës, se nuk jeni më shumë, e kthyet në dyqan. E bëtë institucionin më të rëndësishëm të transportit të Shqipërisë dyqan me tra dhe qepen dhe nuk vutë asnjë tabelë”, deklaroi Balluku.

Në një konferencë për mediat, pak minuta pasi pranë zyrave të AlbControl mbërritën policia dhe ushtria, Balluku tha se ata që nuk janë pjesë e mashave të politikës të qëndrojnë dhe të deklarojnë që janë të aftë për punë.

“Një pjesë e kontrollorëve janë të kapur nga politika. Sot një çetë ka marrë peng hapësirën ajrore shqiptare, të këshilluar nga mjeshtrat e politikës.”, tha Balluku.

Policia e Shtetit dhe ushtria kanë rrethuar zyrat e Albcontrol për shkak se kulla e kontrollit është ndërtesë e sigurisë së lartë. Me grevën e 65 kontrollorëve të Albcontrol është pezulluar puna në aeroport, duke ndërprerë të gjitha fluturimet hyrëse dhe dalëse në aeroport.