RTSH 24 Live

Kuzhinë

Ushqimet më të mira për t'u ngrënë dhe shmangur gjatë iftarit dhe syfyrit

23/03/2023

Ushqimet më të mira për t'u ngrënë dhe shmangur gjatë iftarit dhe syfyrit

Muslimanët në mbarë botën mirëpritën Muajin e Shenjtë të Ramazanit. Qindra milionë muslimanë falën namazin i cili do të vazhdojë gjatë gjithë muajit të shenjtë. Muslimanët do të agjërojnë për 29 ditë, duke filluar nga sot, 23 mars.

Muaji i shenjtë do të bëjë që më shumë prej 1,6 miliardë muslimanë të agjërojnë gjatë ditës, nga lindja deri në perëndim të diellit.

Ajo që hani ose zgjidhni të mos hani gjatë Ramazanit bën një ndryshim të madh në nivelet tuaja të energjisë.

Pas agjërimit, shpesh ka një tundim për të ngrënë tepër dhe për t'u ngarkuar me pije me sheqer gjatë iftarit dhe syfyrit.

Ja disa sugjerime për ushqimet që duhen konsumuar dhe shmangur gjatë iftarit dhe syfyrit.

Çfarë duhet të hani gjatë iftarit

Frutat e pasura me kalium- Kaliumi është i nevojshëm për funksionimin e duhur të shumë prej sistemeve të trupit tuaj. Disa nga rolet kryesore të tij përfshijnë minimizimin e ngërçeve dhe ruajtjen e ekuilibrit të lëngjeve dhe elektroliteve në trup. Ushqimet që janë të pasura me kalium përfshijnë fasulet, zarzavatet, patatet, kungujt, kosi, avokadot, kërpudhat dhe bananet. Hurmat janë burim i mirë i kaliumit dhe një ushqim i shkëlqyer për të thyer agjërimin tuaj

Lëngje të mjaftueshme- Pini sa më shumë ujë ose lëngje frutash midis iftarit dhe gjumit për të shmangur dehidratimin.

Arrat e papërpunuara- Bajamet përmbajnë yndyrna të mira të cilat janë thelbësore, veçanërisht kur trupi juaj ka dëshirë për yndyrna pas orëve të gjata të agjërimit. Arrat janë perfekte për iftar pasi ju ndihmojnë të ndiheni të ngopur.

Perime hidratuese- Kastravecat, marulet dhe perimet e tjera janë të pasura me fibra dhe ujë. Ato jo vetëm që ndihmojnë trupin tuaj të ndihet i freskët, por janë gjithashtu një zgjedhje e shkëlqyer për të mbajtur lëkurën tuaj të shëndetshme.

Çfarë duhet të shmangni gjatë iftarit

Pijet e gazuara- Shmangni pijet e përpunuara dhe pijet e gazuara.

Ushqimet me shumë sheqer- Ushqimet me shumë sheqer si ëmbëlsirat dhe çokollata duhet të shmangen pasi përmbajnë shumë pak vlera ushqyese dhe janë të larta në kalori. Ato kontribuojnë në shtimin e peshës dhe mund të çojnë në probleme shëndetësore nëse konsumohen çdo ditë.

Ushqimet e skuqura- Ushqimet e yndyrshme dhe të skuqura, duhet të shmangen pasi ato janë të ngarkuara me yndyrë dhe ruhen në trup si ind yndyror. Ngrënia e ushqimeve të yndyrshme pas orëve të gjata agjërimi shkakton aciditet dhe dispepsi.

Çfarë duhet të hani gjatë syfyrit

Ushqim i pasur me proteina- Vezët janë të pasura me proteina dhe lëndë të tjera ushqyese. Ato jo vetëm që ju ndihmojnë të qëndroni të ngopur për më gjatë, por mund të bëhen në disa mënyra për t'iu përshtatur shijeve tuaja.

Ushqimi i pasur me fibra- Bollguri është i pasur me fibra, për të cilat trupi juaj ka nevojë gjatë syfyrit. Fibrat e tretshme kthehen në xhel në stomak dhe ngadalësojnë tretjen, gjë që ndihmon në uljen e kolesterolit dhe glukozës në gjak dhe ju mban energji gjatë gjithë agjërimit.

Ushqime të pasura me kalcium dhe vitamina- Të pasura me kalcium dhe proteina, produktet e qumështit janë një burim i shkëlqyer.

Çfarë duhet shmangur gjatë syfyrit

Karbohidrate të thjeshta ose të rafinuara- Këto ushqime, të tilla si sheqernat, mielli i bardhë, pastat etj është e këshillueshme ti shmangni.

Ushqimi i kripur- Një çekuilibër i niveleve të natriumit në trupin tuaj ju bën të keni shumë etje gjatë agjërimit, prandaj përpiquni të shmangni ushqime të kripura.

Pijet me kafeinë- Kafeja çon në pagjumësi dhe shqetësim, përveç kësaj, nuk hidraton dhe ju mban dëshirën për ujë gjatë gjithë ditës.

/rtsh.al/