RTSH 24 Live

Rajon

Urdhër-arresti ndaj Putinit/ Vuçiç: Do ketë pasoja të rënda politike

19/03/2023

Urdhër-arresti ndaj Putinit/ Vuçiç: Do ketë pasoja të rënda politike

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se lëshimi i urdhër-arrestit ndërkombëtar për Vladimir Putin do të ketë pasoja të rënda politike dhe ndikon në zgjatjen e luftës në Ukrainë.

Vuçiç i cili ka lidhje të ngushta me Putinin dhe ka qenë kundërshtar i zëshëm i gjykatave ndërkombëtare për krimet e luftës, shprehet se me këtë akt nuk po i shërbehet paqes.

“Do të ketë pasoja të rënda politike dhe tregon se ka një ngurrim të madh për të folur për paqen dhe armëpushimin në Ukrainë. Pyetja ime është se tani që e keni akuzuar për krime lufte me kë do të bisedoni. A mendoni vërtet se është e mundur të mposhtet Rusia në një muaj, tre muaj apo një vit?”, ka theksuar Vuçiç.

Presidenti serb tha se nuk ka nuk ka dyshime se qëllimi kryesor i Gjykatës Penale Ndërkombëtare është të vështirësojë komunikimin për zotin Putin.

I pyetur nëse lideri rus do të arrestohej nëse do të vizitonte Serbinë, Vuçiç tha se kjo “është një pyetje e kotë” pasi ndërsa lufta vazhdon, “Putini nuk ka ku të shkojë”, transmeton Sky News.

Serbia ka mbajtur një marrëdhënie të ngushtë me Rusinë gjatë gjithë konfliktit dhe është i vetmi shtet evropian që nuk ka vendosur sanksione ndërkombëtare kundër Moskës. Por nga ana tjetër, Beogradi kërkon anëtarësimin në BE dhe dje ra dakord të shkojë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën pas refuzimit të njohjes së shpalljes së pavarësisë së shtetit në vitin 2008.

/rtsh.al/