Ligjvënësit ukrainas kanë votuar për emërimin e Rustem Umerovit në postin e ministrit të Mbrojtjes, njofton Radio Evropa e Lirë.
Ai vjen në këtë post pas disa ndryshimeve të bëra në këtë ministri, pas shqetësimeve për korrupsion gjatë blerjeve të pajisjeve ushtarake.
Në Parlamentin ukrainas, 338 ligjvënës votuar për emërimin e Umerovit.
Umerov merr drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes pas largimit të Oleksiy Reznikovit, që kishte udhëhequr dikasterin e mbrojtjes që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës shkurtin e vitit 2022.
Umerov, 41 vjeç, është një politikan nga partia opozitare Holos. Që nga shtatori i vitit 2022, ai ka shërbyer si kryetar i Fondit shtetëror të Pronave. Ai ka qenë i përfshirë në këmbimin e të burgosurve të luftës, të të burgosurve politikë, fëmijëve dhe civilëve, si dhe në evakuimin e civilëve nga territoret e pushtuara. Umerov po ashtu ishte pjesë e delegacionit ukrainas në negociatat me Rusinë sa i përket marrëveshjes së drithërave, të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte arsyetuar ndryshimet në drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes me nevojën “për një qasje të re” në këtë institucion dhe “forma të tjera të ndërveprimit, si me ushtrinë, ashtu edhe me shoqërinë".
( Sipas Radios Evropa e Lirë )
/ rtsh /