RTSH 24 Live

Sociale

Ujësjellës i ri në Kasallë të Zall-Herrit, Veliaj: Punojmë me të njëjtën cilësi, si në qendër ashtu edhe në periferi

19/07/2021

Ujësjellës i ri në Kasallë të Zall-Herrit,  Veliaj: Punojmë me të njëjtën cilësi, si në qendër ashtu edhe në periferi

Rreth 550 familje të fshatit Kasallë, në njësinë administrative Zall-Herr, të cilët prej 30 vitesh përdornin ujë pusi, tashmë do të kenë rrjetin e ri të ujësjellësit, investimi më i ri i Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës, në kuadër të projektit IPA CrossWater.

Projekti synon rritje të cilësisë dhe sigurisë së furnizimit me ujë, duke eliminuar furnizimin nëpërmjet puseve dhe shtrirjen e investimeve, jo vetëm në zonat urbane, por edhe në ato rurale.

Kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili inspektoi punimet, faza e parë e të cilave pritet të përfundojë në këtë stinë të verës, u shpreh se ka ardhur koha që të punohet me të njëjtën cilësi për rrjetin e ujit, si në qendër ashtu edhe në periferi të Tiranës.“Nuk besoj se ka zhurmë më të bukur se sa ajo e ekskavatorëve kur hapin një kantier të ri pune. Është një zhurmë, e cila është pritur prej kohësh në Kasallë. Kasalla ndodhet 10 kilometër në vijë ajrore nga Tirana, por është pjesë e Tiranës së madhe. Kjo do të thotë se ka ardhur koha të punohet me të njëjtën cilësi për rrjetin e ujit, siç po punohet kudo tjetër në Tiranën urbane. Sot po shtrojmë një rrjet rreth 30 km, i cili shpëton familjet nga uji i pusit. Uji i pusit të vazhdojë të përdoret për të vaditur tokat, por jo për përdorim të brendshëm,”- u shpreh Veliaj.

Sipas tij, këtë fakt e dëshmojnë edhe vetë investimet të cilat po transformojnë çdo kilometër katror të kryeqytetit. “Më vjen mirë që dora e investimeve ka ardhur deri në periferinë më fundore të Bashkisë së Tiranës. I falënderoj të gjithë banorët për mirëkuptimin. Vërtet Kasalla dikur mbulohej nga ish-komuna, por me ndryshimin e ndarjes administrative sot është pjesë e Tiranës. Në fillim rregulluam situatën në Çekrezë e Morinë dhe tani kemi mbërritur edhe në zonën fundore. Në Dritas gjithashtu po punojmë për shkollën e re dhe për shtëpitë e reja,”- deklaroi kryebashkiaku.

Ai shprehu edhe njëherë domosdoshmërinë e përfundimit në kohë sa më të shpejtë të punës në çdo kantier të hapur, pavarësisht temperaturave, apo periudhës së pushimeve. “E di që është verë, por është shumë e rëndësishme që teksa njerëzit shkojnë me pushime të vazhdojmë punën, në mënyrë që fazën e parë, 16 kilometra, ta përfundojmë deri në fund të verës. Ndërkohë, pjesën tjetër ta mbyllim në dy fazat e tjera, në mënyrë që viti i ri këtë komunitet ta gjejë me ujë të pijshëm. U kujtoj të gjithë atyre që e kishin në dorë këtë punë dhe sot kanë në dorë vetëm portalet, se nuk ua jep njeri votën, e kishin në dorë si Zall-Herrin, edhe Tiranën urbane, që atëherë ishte sipërfaqja 1/25 e kësaj që kemi sot, vetëm 42 kilometër katrorë dhe furnizimi me ujë ishte skandal, 4-5 orë në ditë,” tha Veliaj.

Përllogaritjet e projektit janë kryer mbi një perspektivë 25-vjeçare, për një popullatë prej 3275 banorësh.