RTSH 24 Live

Rajon

Udhëtarët nga Shqipëria në Serbi vetëm me kartë identiteti

21/11/2020

Udhëtarët  nga Shqipëria në Serbi vetëm me kartë identiteti

Qeveria e Serbisë ka vendosur që shtetasit Republikës së Shqipërisë të hyjnë në territorin e Republikës së Serbisë pa një dokument udhëtimi, me një kartë identiteti të vlefshme biometrike, njoftoi agjencia Tanjug që citohet nga sot.com.al.

Vendimi është rezultat i një marrëveshje ndërshtetërore të nënshkruar midis dy vendeve që do të lehtësojë rrjedhën e njerëzve, mallrave dhe kapitalit dhe do të sigurojë më tej një mundësi për të zhvilluar marrëdhënie të mira fqinjësore midis Ballkanit Perëndimor, tha Zyra e Qeverisë së Serbisë për Bashkëpunim me Media.

Zbatimi i këtij vendimi, siç thuhet, krijon parakushte shtesë për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, shkencor, arsimor, sportiv dhe kulturor midis dy vendeve.

Agjencia kroate Hina shprehet se vendimi i sotëm është rezultat i marrëveshjes për lëvizjen e lirë të qytetarëve, të cilën Serbia dhe Shqipëria nënshkruan më 9 nëntor, në kuadër të nismës rajonale “Mini Schengen”.

Si pjesë e së njëjtës nismë, Serbia, Maqedonia Veriore dhe Shqipëria nënshkruan një memorandum mbi bashkëpunimin në luftën kundër COVID-19 në 9 nëntor, shtuan agjensitë.

Memorandumi dhe Marrëveshja u nënshkruan në prani të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe u nënshkruan nga kryeministrat e Serbisë, Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë – Ana Brnabiç, Zoran Zaev dhe Edi Rama.

Kujtojmë që Mini Schengeni, apo ndryshe Schengeni rajonal, pasi sipas kryeministrit Rama i pari jo korrekt në emërtim e i dyti i saktë, është një nismë me nxitje dhe mbështetje të fortë ndërkombëtare, por që në rajon disa vende hezitojnë t’i bashkohen, duke paragjykuar rolin e Serbisë në të.

Në të përfshihet dhe Kosova, por që pranoi nën diktatin e Shtëpisë së Bardhë, në Marrëveshjen e Uashingtonit me presidentin Trump, për t’iu bashkangjitur kësaj nisme.