RTSH 24 Live

Bota

Udhëheqësja e opozitës bjelloruse në Uashington për takime me zyrtarët amerikanë

19/07/2021

Udhëheqësja e opozitës bjelloruse në Uashington për takime me zyrtarët amerikanë

Udhëheqësja e opozitës bjelloruse, Sviatlana Tsikhanouskaya, po zhvillon vizitën e saj të parë zyrtare në Shtetet e Bashkuara. Bisedimet që ajo do të mbajë me zyrtarët amerikanë do të ndiqen me vëmendje jo vetëm nga Bjellorusia por edhe nga Moska, e cila e shikon fqinjin e saj lindor si pjesë të “sferës së ndikimit” të saj. Korrespondenti i sherbimit rus të Zërit të Amerikës Igor Tsikhanenka zhvilloi një intervistë ekskluzive me udhëheqësen bjelloruse.

Kryeopozitarja bjelloruse zhvilloi intervistën e parë në Shtet e Bashkuara me Zërin e Amerikës në prag të takimeve të saj me zyrtarë të lartë amerikanë.

Sviatlana Tsikhanouskaya, e cila jeton në mërgim në Lituani, po zhvillon vizitën e saj të parë zyrtare në Shtetet e Bashkuara me ftesë të Departamentit të Shtetit.

“Dua që Bjellorusia të jetë në axhendën e Shteteve të Bashkuara. Qëllimi kryesor i vizitës është situata në Bjellorusi dhe shkallëzimi i dhunës nga ana e regjimit.”

Opozitarja bjelloruse u detyra të largohej me dy fëmijët e saj të mitur si rezultat i shtypjes brutale të protestave paqësore pas zgjedhjeve të kontestuara të 9 gushtit të vitit të kaluar, për të cilat Presidenti Alexander Lukashenko pretendoi fitoren e gjashtë radhazi.

Ajo thotë se vendi i saj ka nevojë për ndihmën e Amerikës.

“I bëj thirrje Shteteve të Bashkura të jenë me ne. Është shumë e rëndësishme të mbështesësh popullin pasi ai regjim po shkatërron gjithçka në Bjellorusi, po shkatërron median dhe të gjitha organizatat.”

Një nga çështjet e pazgjidhura për Bjellorusinë dhe personalisht zonjën Tsikhanouskaya, është lirimi i më shumë se 500 të burgosurve politikë të arrestuar nga autoritetet gjatë shtypjes. Bashkëshorit i saj, Siarhei, është një prej tyre.

“Rrugëzgjidhja e vetme për lirimin e të burgosurve është presioni politik dhe ekonomik ndaj qeverisë bjelloruse. Jam e sigurtë që kjo do të ndodhë shumë shpejt.”

Takimet e saj në Uashington do të ndiqen nga afër jo vetëm nga Minsku. Presidenti rus Vladimir Putin, i cili e sheh Bjellorusinë si “arenën e tij politike”, gjithashtu do ta ketë vëmendjen tek takimet.

“Ai nuk dëshiron të shohë rënien e një aleati autokrat, të cilin e percepton të jetë pjesë e sferës së ndikimit të tij. Dhe sigurisht, nuk dëshiron të shohë ngritjen e demokracive pranë kufirit rus”, thotë për Zërin e Amerikës, Jonathan Katz i Fondacionit Gjerman Marshall.

Politika amerikane e kupton më së miri këtë, por thotë se kjo lidhje nuk është e pathyeshme.

“Prej një kohe të gjatë marrëdhënie mes Rusisë dhe Bjellorusisë nuk ka qenë e lehtë”, thotë Senatori demokrat Ben Cardin.

Rritja e presionit politik dhe kryesisht presionit ekonomik ndaj Lukashenkos, është ajo që mund ta bëjë atë toksik, madje edhe për Putinin, thotë Senatori Cardin.

“Ajo që duhet të ndryshojë është se ai (Lukashenko) duhet të paguajë një çmim më të lartë. Kjo do të thotë sanksione të forta.”

Ndërkohë, pavarësisht sanksioneve gjithëpërfshirëse të vëna nga Shtetet e Bashkura, Bashkimi Evropian dhe vende të tjera ndaj regjimit bjellorus në fund të qershorit, shoqëria civile e atij vendi dhe organizatat mediatike u goditën me një tjetër valë arrestimesh dhe ndalimesh arbitrare javën e shkuar.