RTSH 24 Live

Ekonomi

UBT, thellon bashkëpunimet ndërkombëtare, Rama: Hapet një proces doktoraturash i një cilësie të garantuar!

28/01/2022

UBT, thellon bashkëpunimet ndërkombëtare, Rama: Hapet një proces doktoraturash i një cilësie të garantuar!

Universiteti Bujqësor i Tiranës zgjeron bashkëpunimin e tij me universitete të njohura Evropiane, duke i dhënë mundësi të përfitojnë studentëve dhe profesionistëve  të rinj në fushën e bujqësisë. Kryeministri Edi Rama siguroi se në Universitetin Bujqësor do të hapen doktoratura me standarte dhe cilësi ku fillimisht do të përfitojnë 30 persona. Zoti Rama tha se Universiteti Bujqësor i Tiranës, do të jetë një derë e hapur për univeristetin e Vjenës, dhe vendeve të tjera të BE-së.

"Sot është një ditë e veçantë për universitetin, pasi falë bashkëpunimit me qeverinë gjermane edhe kontributin e agjencisë gjermane të ndihmës, sot hapet një proces doktoraturash i një cilësie të garantuar”. Do ju jepet mundësia 30 individëve me vlerë të spikatur në rrugën e tyre, që të zhvillojnë një doktoraturë e cila të ketë vulën e universiteteve më të mira të fushës, në Gjermani, apo vende të tjera të BE-së. Kjo është rruga jonë, ku duhet të ecim dhe ky është modeli që ne duhet të shtrijmë në të gjithë sistemin për doktoraturat" tha kryeministri.

Zoti Rama shprehu gjithashtu kënaqësinë që UBT është në një fazë të avancuar bashkëpunimi  me një nga universitetet  më të vjetër e më të mirë të botës të zhvillimit rural me Universitetin e Vjenës.

"Synimi ynë i përbashkët  me rektorin është që të ndërtojmë një marrëdhënie që hap pas hapi të kthehet në një sinergji të plotë. Universiteti Bujqësor i Tiranës të jetë një derë tjetër e Universitetit të Vjenës dhe të gjithë studentët që do të vijnë këtu të mbarojnë studimet me një diplomë të Universitetit të Vjenës”, tha zoti Rama.

Kryeministri shqiptar tha se bujqësia aktualisht është në fazë delikate, por është sektor jetik dhe do të ketë vëmendje të posaçme nga qeveria socialiste.