RTSH 24 Live

Kosova

U shpallën fajtorë për pengim të drejtësisë, Apeli i Hagës ul dënimin me 3 muaj për Gucatin dhe Haradinajn

02/02/2023

U shpallën fajtorë për pengim të drejtësisë, Apeli i Hagës ul dënimin me 3 muaj për Gucatin dhe Haradinajn

Kolegji i Apelit në Dhomën e Specializuar të Kosovës në Hagë u uli dënimet me tre muaj ish-drejtuesit dhe nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Gjykata vendosi se Gucati dhe Haradinaj ishin fajtorë për pengim të drejtësisë, frikësim dhe zbulim të paautorizuar të informacioneve të gjykatës dhe informacioneve personale për dëshmitarët e mbrojtur në rastet e krimeve të luftës, megjithatë u uli dënimet.

Kryetari i trupit gjykues Michele Picard tha se gjykata vendosi të dënojë me katër vjet e tre muaj burgim, duke përfshirë kohën e kaluar në paraburgim që kur u arrestuan në shtator 2020.

"Gucati dhe Haradinaj do të qëndrojnë në paraburgim në Dhomat e Specializuara në Hagë deri në finalizimin e masave të nevojshme për transferimin në shtetin ku do të vuajnë dënimin”, shtoi gjyqtari.

Ushtruesi i detyrës së prokurorit specialist Alex Ëhiting tha në një deklaratë se ai e mirëpret aktgjykimin sepse “përforcon sundimin e ligjit në Kosovë dhe dërgon një mesazh të qartë për këdo që është i përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrjen ndaj dëshmitarëve dhe pengimin e drejtësisë”.

Gucati dhe Haradinaj fillimisht u dënuan në maj të vitit 2022 pasi gjyqtarët arritën në përfundimin se kishin qëllim të zbulonin informacione të mbrojtura. Të dy u ndoqën penalisht pasi morën një sërë dokumentesh ligjore të rrjedhura nga Dhomat e Specializuara, të cilat përmbanin informacione konfidenciale për dëshmitarët e mbrojtur në rastet kundër ish-guerrilëve të UÇK-së, duke përfshirë emrat dhe informacionin personal.

/rtsh.al/