RTSH 24 Live

Sociale

U dëmtua nga tërmeti i 2019-s/ Rindërtohet kopshti çerdhja “Bleta Punëtore” në Rubik

19/05/2023

U dëmtua nga tërmeti i 2019-s/ Rindërtohet kopshti çerdhja “Bleta Punëtore” në Rubik

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP Albania) ka bërë të ditur se kopshti “Bleta Punëtore” në Rubik, Mirditë është rindërtuar së fundmi dhe ka çelur dyert e tij.

Edhe Kopshti “Bleta Punëtore” Rubik, Mirditë, i cili përfshin gjithashtu të vetmen çerdhe në këtë komunitet, ka çelur kohët e fundit dyert pas rindërtimit nga e para falë Programit “EU4Schools” me mjedise dinjitoze dhe bashkëkohore të standardeve më të larta evropiane! 62 fëmijë, 6 edukatore dhe 4,800 banorë të komunitetit janë përfituesit e drejtpërdrejtë të këtij investimi madhor për të ardhmen!” – shprehet UNDP Albania.

I rindërtuar sipas parimeve bazë të “Rindërtojmë Më Mirë” dhe “Rindërtojmë së Bashku”, në këtë objekt arsimor janë realizuar: termoizolim i fasadës; strukturë betoni e armuar;  vendosje e dyerve, dritareve, dyshemeve; instalime që përfshijnë sistemin HVAC, sistemin e mbrojtjes nga zjarri; instalime hidrosanitare për furnizimin me ujë dhe kanalizime;  ÇTV, IT, rrjetëzim, instalime elektrike; kënd lojërash etj.

“EU4Schools” financohet nga Bashkimi Evropian me 75 milion Euro dhe zbatohet nga UNDP Albania, duke synuar rindërtimin apo riparimin e 60+ objekteve arsimore me 25,000 nxënës, fëmijë e mësues përfitues në total.

Deri tani në kontekstin e “EU4Schools” kanë përfunduar 40 objekte arsimore, ndërsa 15 të tjera janë aktualisht në proces rindërtimi/riparimi.

/rtsh.al/