RTSH 24 Live

Rajon

Turqia e dënon me 27 vjet burgim gazetarin me prejardhje shqiptare

23/12/2020

Turqia e dënon me 27 vjet burgim gazetarin me prejardhje shqiptare

Një gjykatë në Stamboll e dënoi Dundarin me 18 vjet e nëntë muaj burgim për marrje të sekreteve shtetërore me qëllim të realizimit të spiunazhit politik ose ushtarak.

Gjykata e dënoi atë edhe me tetë vjet e nëntë muaj burgim për përkrahje të një organizate të armatosur terroriste pa qenë anëtar i saj.

Dundari ndodhet në ekzil në Gjermani dhe u dënua përmes gjykimit në mungesë, shkruan Deutsche Welle.

Gjykatësit në Stamboll e publikuan vendimin për dënimin e gazetarit pavarësisht mungesës së ekipit mbrojtës. Avokatët e Dundarit thanë se nuk do të marrin pjesë në seancën përfundimtare, duke thënë se akuzat janë të motivuara politikisht.

“Ne nuk duam të jemi pjesë e një praktike për legjitimimin e vendimeve politike që janë vendosur që më herët”, thuhet në deklaratën e avokatëve, të publikuar të martën.

Gjykata më herët këtë muaj e kishte shtyrë shpalljen e vendimit pasi avokatët e gazetarit kërkuan që gjykatësit e këtij rasti të zëvendësohen për të siguruar gjykim të drejtë. Sidoqoftë, kërkesa e tyre u hodh poshtë.

Dundari shkoi në Gjermani në vitin 2016 për t’iu shmangur akuzave për spiunazh pasi kishte publikuar një shkrim rreth dërgimit të armëve turke te rebelët sirianë në vitin 2015.

Presidenti turk, Rexhep Erdogan, e kishte paralajmëruar këtë gazetar se do të paguajë çmim të lartë për shkrimin e publikuar në gazetën “Cumhyriyet”, kur shërbente si kryeredaktor i saj.

Pas shkuarjen në ekzil në Gjermani, autoritetet turke i kishin dhënë 15 ditë afat për t’u kthyer. Sidoqoftë, ai nuk u kthye dhe Turqia urdhëroi që asetet e tij të konfiskohen dhe llogaritë bankare t’i bllokohen.