RTSH 24 Live

Ekonomi

Turizmi shqiptar, mes rritjes dhe kontributit/ Ja krahasimi me shtetet e rajonit

09/09/2023

Turizmi shqiptar, mes rritjes dhe kontributit/ Ja krahasimi me shtetet e rajonit

Vijon me rritëm të lartë kërkesa turistike për Shqipërinë. Treguesit stastistikorë me burim nga Instituti i Statistikave flasin për flukse të larta të gushtit, muaji kur Shqipëria tejkalon shifrën e 7 milionë turistëve.

Sipas njoftimit të ministrisë përgjegjëse për turizmi, mbi dy milionë vizitorë të huaj, ose 18% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare, janë regjistruar gjatë muajit gusht të këtij viti, duke e çuar në rreth 7,2 milionë numrin e turistëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë në këto 8 muaj. Kjo shifër i afrohet rekordit prej 7,5 milionë turistësh që u arrit në vitin 2022, viti më i mirë ndonjëherë në turizëm në bilanc shifrash.

Gjatë vitit 2023, përveç shifrave të larta, Shqipëria ka përjetuar edhe një ‘bum’ të promovimit mediatik botëror të potencialeve të saj turistike, deri tani shumë pak të zbuluara për botën.

Përveç vizitorëve nga Kosova, që mbajnë vendin e parë në të njëjtat shifra si vitin e kaluar, gjatë këtyre muajve tregje interesante paraqiten Spanja, Italia, Turqia, Mali i Zi, Franca etj.

Kujtojmë se viti 2022 ndërkohë regjistronte rekordin historik të turistëve në vendin tonë, kur Shqipëria numëroi 2.731 turistë të huaj për 1 mijë banorë, ose 2,7 për banor. Shifra është pothuajse e njëjtë me Greqinë, që numëron 2.800 vizitorë të huaj për 1 mijë banorë, por është më pak se Mali i Zi dhe Kroacia, me 3.200 dhe 3.900 vizitorë të huaj për 1 mijë banorë. Spanja, Italia dhe Turqia ndërkohë raportojnë shifra ndjeshëm më të ulëta.

Tendenca e rritjes së flukseve turistike duket se po vijon dhe nëse është e tillë deri në fund të vitit, atëherë Shqipëria do të raportonte rreth 10 milionë turistë të huaj edhe sipas pritshmërive të operatorëve turistike. Shqipëria pret që, sa i përket turistëve të huaj në raport me popullsinë,  të regjistrojë 3.600 të tillë për 1 mijë banorë, duke lënë mbrapa edhe shtete me turizëm shumë më të zhvilluar se vendi ynë.

Një tjetër e dhënë interesante është se, sipas shifrave më të fundit të Institutit të Statistikave mbi indeksin e çmimeve të konsumit, çmimet në sektorin e turizmit këtë sezon veror janë rritur, me një hap më të ngadaltë se vitet e kaluara.

Por ka edhe një të dhënë që vlen të analizohet: Në 2022 numri i turistëve ishte 7,5 milionë, numri i netëfjetjeve ishte vetëm 2,3 milionë shtretër.

Gazetar: Bardhi Sejdarasi

/rtsh.al/