Pogradeci, qyteti që ofron bukuri natyrore dhe historike, ka shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve, duke u kthyer në një destinacion të preferuar gjatë gjithë vitit.
Kryetari i bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2024 qyteti ka pritur 135.904 turistë, nga të cilët 24,736 janë turistë të huaj.
Kjo shifër tregon një rritje prej 10 për qind krahasuar me vitin 2023, duke e vendosur Pogradecin si një atraksion turistik të vazhdueshëm.
Xhakolli theksoi se qyteti ka përqendruar përpjekjet për zhvillimin e turizmit katërstinor, duke promovuar aktivitete dhe evente kulturore e artistike për të tërhequr vizitorë të shumtë.
Po ashtu, turizmi malor ka gjetur një terren të favorshëm, me vizita në atraksionet natyrore dhe historike, si Guri i Kamjes, varret monumentale të Selcës, bazilika paleokristiane dhe mozaikët në Lin, liqenet e Lukovës etj.
Zbulimi i palafiteve 7600-vjeçare në Lin po ashtu ia ka shtuar vlerën ofruesve turistikë të Pogradecit.
Për vitin 2025, bashkia e Pogradecit ka në plan të vazhdojë përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve akomoduese, si dhe të promovojë zhvillimin e turizmit malor dhe agroturizmit.
Me investime në strukturat akomoduese dhe një projekt për rivitalizimin e Kalasë së Pogradecit, qyteti është duke u përgatitur për të ofruar një paketë të plotë turistike, që përfshin natyrën, historinë, kulturën dhe traditën e tij unike.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/