RTSH 24 Live

Botë

Trump përdor Amendamentin e Pestë në hetimin për marrëdhëniet e tij të biznesit

10/08/2022

Trump përdor Amendamentin e Pestë në hetimin për marrëdhëniet e tij të biznesit

Donald Trump tha se do të përdorë Amendamentin e Pestë dhe nuk do t'u përgjigjej pyetjeve nën betim, në hetimin civil të Nju Jorkut për marrëdhëniet e tij të biznesit. Trump mbërriti në zyrat e Prokurores së Përgjithshme të Nju Jorkut, Letitia James, të mërkurën në mëngjes, por publikoi një deklaratë më shumë se një orë më vonë duke thënë se ai refuzoi t'u përgjigjej pyetjeve sipas të drejtave dhe privilegjeve që i jepen çdo qytetari nga Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara.

Hetimi i prokurores James është i natyrës civile.  Prokurori i qarkut të Manhattan po drejton një hetim penal paralel. Dëshmia e Trump vjen vetëm disa ditë pasi agjentët e FBI kontrolluan pronën e tij në Mar-a-Lago në Florida, si pjesë e një hetimi federal nëse ai mori të dhëna të klasifikuara kur u largua nga Shtëpia e Bardhë.

Ai mbërriti në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Nju Jorkut pak para orës 9 të mëngjesit me një autokolonë me shumë automjete. Teksa u largua nga Trump Tower në New York City për një udhëtim të shkurtër në qendër të qytetit, ai u bëri me dorë gazetarëve të mbledhur jashtë, por nuk komentoi.

Hetimi civil, i udhëhequr nga Prokurorja e Përgjithshme e shtetit Letitia James, përfshin pretendime se kompania e Trump, Organizata Trump, deklaroi gabimisht vlerën e aseteve të çmuara si fusha golfi dhe rrokaqiejt, duke mashtruar huadhënësit dhe autoritetet tatimore. “Kompania ime e madhe dhe unë, po sulmohemi nga të gjitha anët”, shkroi Trump paraprakisht në Truth Social, platformën e mediave sociale që ai themeloi. “Republika e bananeve!” Në maj, zyra e James tha se po i afrohej fundit të hetimit dhe se hetuesit kishin grumbulluar prova të konsiderueshme që mund të mbështesin veprimet ligjore kundër Trump, kompanisë së tij ose të dyjave. APNEWS

/rtsh.al/