RTSH 24 Live

Kronika e zeze

Tritoli në makinën e prokurorit Muça, KLP: Sulm terrorist!

12/03/2021

Tritoli në makinën e prokurorit Muça, KLP: Sulm terrorist!

Këshilli i Lartë i Prokurorisë e konsideroi si "atentat terrorist ndaj sistemit të drejtësisë penale" sulmin me tritol ndaj prokurorit Arjan Muça. Në një deklaratë për median KLP kërkoi hetimin dhe zbardhjen sa më parë të ngjarjes. "Në pritje të përfundimit të hetimit, të cilit e presim me padurim, ajo që ka ndodhur dje mbrëmë në Tiranë duket si një sulm i shënjestruar ndaj prokurorit për shkak të funksionit të tij. Si i tillë, ky sulm përbën një akt të papranueshëm që synon të intimidojë prokurorin dhe të cënojë mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në luftën kundër krimit. Këshilli i Lartë i Prokurorisë e konsideron çdo sulm kundër prokurorëve si një atentat terrorist ndaj sistemit të drejtësisë penale, rendit tonë juridik, vlerave tona shoqërore dhe mënyrës tonë të jetesës. Gjithashtu, Këshilli iu bën thirrje të gjitha organeve ligj zbatuese të hetojnë me këmbëngulje dhe përparësi absolute ngjarjen e sotme për të arritur në zbardhjen e saj të plotë dhe të shpejtë. Kjo është mënyra më e mirë për t’i dhënë përgjigjen e duhur krimit dhe për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen" bëhet e ditur në deklaratë.
Reagimi vjen pasi mbrëmjen e të enjtes në zonën e “Komunës së Parisit”, në Tiranë, në garazhin e një qendre tregëtare ka shpërthyer një sasi tritoli e vendosur në makinën e prokurorit Arjan Muçën. Nuk është e qartë nëse ngjarja ka lidhje me prokurorin apo bashkëshorten e tij gjyqtare. Policia ka marrë në mbrojtje urgjentisht familjen Muça.