RTSH 24 Live

Kulturë

Triptik me Shën Mërinë, Profetë dhe Shenjtorë, ikona e pikturuar nga ikonogarfi i njohur Cetiri

03/06/2021

Triptik me Shën Mërinë, Profetë dhe Shenjtorë, ikona e pikturuar nga ikonogarfi i njohur Cetiri

Triptik me Shën Mërinë, Profetë dhe Shenjtorë është ikona e pikturuar nga ikonografi i njohur i shekullit të XVIII Johan Cetiri (Katro).
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar Korçë bën të ditur se pjesa qendrore e ikonës tregon Shën Mërinë, e cila mban në krahun e saj të majtë Krishtin fëmijë.
Ata shfaqen në një moment dashurie ku faqet e tyre preknin njëri-tjetrin. Kjo skenë është shumë e njohur në periudhën Post-Bizantne, ndërsa në rastin konkret ikona shfaq influenca të shkollës ruse në mënyrën e pikturimit.
Në këtë ikonë dy figurat kryesore Shën Mëria me Krishtin burojnë prej një peme në të cilën shfaqen 12 profetët.
Dy kapakët anësorë të ikonës janë të ndara në katër zona ku në pjesën e sipërme prezantohen shënjtorët Shën Gjergji dhe Shën Dhimitri. Në zonën e dytë kemi paraqitjen e Shën Konstandinit dhe Shën Elenës duke mbajtur kryqin e shenjtë dhe në anën tjetër Shën Kolli dhe Shën Athanasi.
Në zonën e tretë kemi paraqitjen e Shën Katerinës, Shën Marinës dhe nga ana tjetër Shën Kozmait, Shën Damianit dhe në mes tyre shfaqet Shën Spiridhoni.
Në zonën e katërt, e cila është dhe zona e fundit e kompozimit, shfaqen Shën Johan Pagëzori me Shën Parashqevinë dhe në anën tjetër shfaqet Shën Milli.