RTSH 24 Live

Sociale

Tranoshisht, fshati që dëshiron agroturizmin

22/01/2021

Tranoshisht, fshati që dëshiron  agroturizmin

Rreth 10 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, në njësinë Administrative Antigone, ndodhet fshati Tranoshisht. Ky është një fshat i vogël që dikur numëronte reth 36 shtëpi ndërsa tani ka diku tek 15 të tilla. Fshat me shumë pak familje por tepër të dashura e punëtore që dinë të mirëpresin këdo që mbërrin në vendin e tyre. Fshat që kishte traditë blegtorinë dhe bujqesinë, traditë që banorët ruajnë ende.

Ndryshe nga shumë fshatra të tjerë, nga Tranoshishti nuk janë larguar shumë të rinj në mërgim. Të moshuarit thonë se arsyeja që ka mbajtur shumicën e banorëve këtu, është perspektiva e turizmit. Fshati Tranoshisht është shumë afër parkut të Antigonesë c'ka bën që turistët të ndalen edhe këtu gjë që ka shtyrë edhe këto familje të investojnë në bujtina familjare.

“Fshati Tranoshisht është fshati më i vjetër i Lunxhërisë . Tani ka 15 banesa. Më parë ka patur edhe më shumë. Ky është një fshat autokton. Banorët kryesisht merreshin me blegtori dhe pak bujqësi, traditë kjo që vazhdon edhe sot. Popullata ka emigruar dhe ësthë shpërndarë nëpër Europ dhe Botë. Familja ime merret me bletërritjen. Kemi më shumë se 100 koshere”, shprehet një i moshuar.

“Këtu më përpara punohej qeramika e Antigonesë. Fshati ynë i vogël por me banorë shumë të dashur, shikon si perspektivë pjesën e turizmit. Vijnë turistë pasi shkojnë në Antigone, kthehen edhe këtu por s'janë të shumtë. Ka familje që kanë investuar në bujtina", thotë një tjetër banor i fshatit.

Tranoshishti, falë investimeve të bëra vitet e fundit dhe falë banorëve të dashur, është një fshat  që më së miri do të zhvillonte agroturizmin për ti dhënë gjallërinë e duhur natyrës së bukur dhe tepër tërheqëse për vizitorët.