RTSH 24 Live

Aktualitet

Tragjedia në Himarë, Gledis Nano shkarkon gjithë zinxhirin komandues të Policisë Kufitare të Vlorës

03/08/2022

Tragjedia në Himarë, Gledis Nano shkarkon gjithë zinxhirin komandues të Policisë Kufitare të Vlorës

Pas tragjedisë së 2 gushtit në Potam, Himarë, ku humbi jetën një fëmijë 7 vjeç, si pasojë e goditjes nga një mjet lundrues që drejtohej nga një oficer policie, është shkarkuar i gjithë zinxhiri komandues i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka dhënë urdhër për shkarkimin nga detyra të Kryekomisar Shpëtim Hasanaliaj, me detyrë Drejtor i DVKM Vlorë; Komisar Fatos Muka, me detyrë Shef Sektori i Kufirit në DVKM Vlorë; Kryekomisar Andon  Marko, me detyrë Shef Sektori i Zbatimit të Masave Plotësuese për Kontrollin e Territorit, në DVKM Vlorë;  Nënkomisarë Dritan Veizaj dhe Ervis Alisinanaj, me detyrë specialistë pranë këtij Sektori;  Inspektorë Ardian Kamaj, Granit Nuraj, Jonel Ahmeti dhe Juljan Mehmetaj, efektivë të Sektorit për Zbatimin e Masave Plotësuese për Kontrollin e Territorit, në DVKM Vlorë; Nënkomisar Neritan Buzi, Shef Stacioni i Policisë Kufitare Dhërmi dhe Nënkomisar Daniel Likskëndaj, specialist pranë këtij Sektori;  Inspektorë Andrea Zenelaj, Besnik Limaj, Fatos Pashaj dhe Arsen Hasanaj, trupë shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Dhërmi.

Ndërkohë, grupi i posaçëm, i ngritur me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i përbërë nga specialistë nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamenti për Rendin dhe Sigurinë Publike, vijon punën për eleminimin e mangësive, me qëllim parandalimin e ngjarjeve me mjetet lundruese.

Drejtori i Përgjthshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano është i vendosur për të mos toleruar asnjë punonjës policie, drejtues apo zbatues, që nuk zbaton me rigorozitet dhe ndershmëri detyrat funksionale, në interes së mbrojtjes së jetës së qytetarëve.

Policia e Shtetit i shpreh edhe një herë familjes Avdia, ngushëllimet më të sinqerta, dhe siguron qytetarët se punonjësit e Policisë   në të gjithë vendin janë duke punuar me përkushtim dhe sakrificë për të garantuar rendin dhe sigurinë, si dhe për të luftuar paligjshmërinë, ndaj ngjarja shumë e rëndë që ndodhi mesditën e sotme nuk duhet të përbaltë dhe të hedhë poshtë punën e mijëra punonjësve të Policisë në të gjithë vendin”, njofton Policia.

Më 2 gusht Arjan Tase duke drejtuar një gomone ka goditur për vdekje një 7-vjeçare e cila ishte duke u larë në det. Goditja ka qenë tepër e fortë pasi e mitura ka ndërruar jetë menjëherë në vendngjarje. Menjëherë pas ngjarjes, Gledis Nano ka përjashtuar nga policia Arjan Tasen, pasi ky i fundit mbante detyrën si shef policimi në komunitet në Elbasan.

/rtsh.al/