RTSH 24 Live

Aktualitet

Tragjedia me 7-vjeçaren/ Nano: Zero tolerancë, autori të marrë dënimin maksimal, jemi përgjegjës dy herë si Polici e Shtetit

03/08/2022

Tragjedia me 7-vjeçaren/ Nano: Zero tolerancë, autori të marrë dënimin maksimal, jemi përgjegjës dy herë si Polici e Shtetit

Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi ditën e djeshme në Himarë ku një 7-vjeçare u godit për vdekje nga një gomone, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, ka drejtuar sot operacionin policor në Dhërmi për rritjen e parametrave të sigurisë në plazhe.

Nano ka kërkuar dënim maksimal për Arjan Tasen, drejtuesin e gomones që përplasi për vdekje 7-vjeçaren teksa po lahej në detin e Potamit. Nano thekson se policia nuk do tolerojë askënd që shkel ligjin dhe rrezikon jetën e pushuesve dhe asnjë tolerim për çdo punonjës policie i cili nuk është i denjë, shpërdoron besimin, abuzon me detyrën dhe ka neglizhencë në kryerjen e detyrës.

"Në radhë të parë, dua të përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen Avdia, e cila humbi vogëlushen në një aksident tragjik, ditën e djeshme. Ne jemi përgjegjës dy herë si Polici e Shtetit, për ketë ngjarje, duke qenë se autori i kësaj ngjarjeje ishte një oficer policie. Autori i ngjarjes së djeshme është arrestuar në flagrancë, në vendin e ngjarjes. I kërkoj organeve të drejtësisë për të dhënë një dënim maksimal. Jam shumë i vendosur, siç e shikoni edhe sot, po e drejtoj vetë operacionin në Dhërmi, për shoqërimin, bllokimin dhe verifikimin e të gjitha mjeteve lundruese, dokumentacionin e tyre dhe procedurës që ata ndjekin për të dalë në det. Ashtu siç jam i vendosur për tolerancë zero ndaj çdo shkelësi të ligjit dhe rrezikimit të jetës së pushuesve, jam i vendosur dhe me tolerancë zero të ndëshkoj çdo punonjës policie i cili nuk është i denjë, shpërdoron besimin, abuzon me detyrën dhe ka neglizhencë në kryerjen e detyrë”, tha Nano. Më tej ai shprehu bindjen se inspektimet nuk do të ndalen. Nano theksoi se ndonëse Tase ishte punonjës policie, veprimi i policëve nuk mund të përbaltë punën, mundin dhe djersën e Policisë së Shtetit.

Pavarësisht se autori është një punonjës policie, veprimi i një punonjësi policie nuk mund të përbaltë punën, mundin dhe djersën e mijëra burrave dhe grave të Policisë së Shtetit, të cilët punojnë ditë dhe natë për të siguruar një ambient sa më të qetë dhe sa më të sigurtë për pushuesit, gjatë sezonit turistik veror".

Deri në këto momente, në të gjithë vijën bregdetare, janë shoqëruar, në pikat e posaçme të bllokimit, nga Ksamili në Velipojë, rreth 90 mjete lundruese “Jet ski” dhe rreth 40 mjete të tjera lundruese (skafe të vegjël dhe gomone)”, tha Nano.

Prej mëngjesit të sotëm, në të gjithë vijën bregdetare, nga Velipoja në Ksamil, ka nisur një operacion policor për rritjen e parametrave të sigurisë në plazhe. Të përfshira në operacion janë Policia Kufitare, Delta Forcë, Policia e Rendit, Forcat “Shqiponja” dhe Policia Kriminale. Gjithashtu në operacion janë përfshirë Sektori për Krimin Ekonomik dhe Financiar dhe Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtoritë Vendore të Policisë Vlorë, Durrës, Lezhë dhe Shkodër.

/rtsh.al/