RTSH 24 Live

Politikë

Tragjedia e Potamit/ Balla: Tase ishte përjashtuar, Prokurori i KÇK e riktheu në detyrë! Berisha do shpallet "non grata" nga BE

22/09/2022

Tragjedia e Potamit/ Balla: Tase ishte përjashtuar, Prokurori i KÇK e riktheu në detyrë! Berisha do shpallet "non grata" nga BE

Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla në fjalën e tij në seancë plenare, u ndal te reforma në drejtësi. Teksa risolli në vëmendje tragjedinë e Himarës ku një 7-vjeçare u godit për vdekje nga një gomone me drejtues Arjan Tasen me detyrë shef policimi në komunitet në Elbasan, Balla deklaroi se  ky është një nga rastet ku duhet të kuptohet rëndësia e reformës në drejtësi. Balla deklaroi se Tase ndonëse ishte përjashtuar nga sistemi i policisë, një prokuror sipas tij, i korruptuar e riktheu në Policinë e Shtetit.  Balla theksoi se reforma në drejtësi nuk duhet të lidhet me emra konkretë por me insititucionin.

“Askush se ka harruar tragjedinë e Himarës. Për të gjithë ndjenja e madhe e revoltës nuk ishte vetëm aksidenti, por kush e kreu aksidentin? Një punonjës policie. Kjo e shtoi qindra fish revoltën, edhe tonën. Të vetmit që kishin reagimin më njerëzor, ishin familjarët e vogëlushes. Të gjithë të tjerët ishin po aq revoltuese mënyra e reagimit. Për atë lloj tragjedie as edhe sot unë dhe çdo qytetar nuk e gjen dot të japë ngushëllim. Por një element nga ajo tragjedi duhet risjellë në vëmendje sot, që ky personi që kreu aksidentin nuk duhet të ishte në atë pozicion dhe strukturat e policisë së shtetit Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e kishin përjashtuar. Pastaj u shfaq një prokuror nga ekipi i KÇK që këtë person, e riktheu në Policinë e Shtetit. Prandaj, mendoj që kur flasim dhe marrim përsipër të bëjmë gjyqtarin, prokurorin, gazetarin, ti marrim faktet një për një. Ky është një nga rastet që duhet të kuptojmë sa e rëndësishme paska qenë kjo reforma në drejtësi, që një idiot gjen një idiot tjetër në sistemin e drejtësisë, bëjnë pagesën dhe kemi raste të tilla të revoltës.

Këtu prandaj bëhemi të gjitha dakord që duhet ta mbështesim reformën në drejtësi dhe ta lidhim me institucionet, jo me emra. Prokurori në fjalë e ka fshirë vettingu. Kjo është lajm i mirë në fund të kësaj gjëje. Prandaj dëgjova me vëmendje fjalën e znj. Tabaku, besoj se edhe për çështje  me vijueshmërinë e implementimit të reformës në drejtësi, me nevojën për të parë sëbashku problematika që kanë lindur gjatë rrugës, ti rregullojmë”, tha Balla.

Kreu i grupit parlamentar socialist ka paralajmëruar se Bashkimi Evropian do të shpallë “non grata” Sali Berishën. “Gjej rastin të përshëndes tashmë vendimin e KE për të vijuar dhe ata me modelin e SHBA dhe të Mbretërisë së Bashkuar për të sanksionuar personat e përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë. KE të ecë sa më shpejtë në këtë drejtim. Vendet që aspirojnë të anëtarësohen në BE duhet t’i tregojnë më gisht ata persona dhe rasti më flagrant është ish-kryeministri i këtij vendi i shpallur “non grata” nga SHBA, nga Mbretëria e Bashkuar dhe me këtë ecuri do shpallet “non grata dhe nga BE”, tha Balla.

/rtsh.al/