RTSH 24 Live

Aktualitet

Tragjedia e familjeve shqiptare në Kosovë, Rama, Basha e Ruçi shprehin ngushëllime

25/07/2021

Tragjedia e familjeve shqiptare në Kosovë, Rama, Basha e Ruçi shprehin ngushëllime

Kryeministri Edi Rama, kryeparlamentari Gramoz Ruçi, kryedemokrati Lulzim Basha, si dhe ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka kanë reaguar pas lajmit të kobshëm të vdekjes së 10 shtetasve nga Kosova gjatë një aksidenti tragjik të ndodhur në Kroaci.

I pari që do të reagonte do të ishte kryetari i PD-së, Lulzim Basha. "Me trishtim të thellë mora lajmin e rëndë të aksidentit tragjik të ndodhur në Kroaci, në të cilin sipas të dhënave të para ka viktima dhe të plagosur. I bashkohem dhimbjes së familjarëve dhe të afërmve dhe ju shpreh ngushëllimet më të ndjera!Shërim të shpejtë të lënduarve. Zoti t’ju japë forcë për të përballuar këtë tragjedi, që na ka tronditur të gjithëve.", shkruan Basha.

Rama në mesazhin e tij në rrjetet sociale shkruan "Çfarë fatkeqësie pikëlluese lajmi nga Kroacia për humbje jetësh të vëllezërve e motrave nga Kosova! Lutem që të plagosurit rëndë t'ia dalin dhe ngushëlime vëllazërore familjeve të viktimave".

Edhe kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, ka shprehur sot ngushëllimet për humbjet e jetëve dhe lëndimet e qytetarëve të Kosovës, si pasojë e aksidentit të rëndë në Kroaci

“Me trishtim mora vesh lajmin për aksidentin e rëndë automobilistik që ndodhi në Kroaci, si pasojë e të cilit humbën jetën dhjetë qytetarë kosovarë dhe u lënduan rreth tridhjetë të tjerë. Shpreh ngushëllimet e Kuvendit të Shqipërisë dhe të miat për familjet e motrave e vëllezërve tanë që humbën jetën dhe të plagosurve u uroj shërim të shpejtë. Kurajo e forcë për të përballuar këtë dhimbje të madhe!”, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit.

Ndërsa ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka shkruan "Keqardhje për humbjen tragjike të jetës së shtetasve kosovarë në Kroaci. Ndajmë dhimbjen me vëllezërit tanë dhe me zemër e mendje jemi pranë familjarëve dhe urojmë shërim të shpejtë për të lënduarit".

Në aksidentin e mëngjesit të sotëm në Slavonski-Brod, kanë vdekur 10 persona gjithsej, nëntë pasagjerë dhe njëri nga shoferët që ishin në autobusin kosovar të linjës Frankfurt – Prishtinë.

Shefi i Mbrojtjes Civile në Kroaci, Damir Trut, për media deklaroi se në autobus ishin 67 udhëtarë e dy shoferë. “Në autobus ishin 67 pasagjerë e dy shoferë. Fatkeqësisht, 9 pasagjerë dhe një shofer kanë humbur jetën. 44 pasagjerë u pranuan në spital në Slavonski Brod. Tetë në gjendje të rëndë, e katër janë operuar. 14 pasagjerë dhe një shofer janë në stacionin policor, duke pritur akomodimin”, ka thënë Trut duke shtuar se në autobus kishte edhe fëmijë.