RTSH 24 Live

Botë

Thirrjet për armë/ Pas Sunak, Zelensky takohet me Macron dhe Scholz, siguron mbështetjen e Francës dhe Gjermanisë

09/02/2023

Thirrjet për armë/ Pas Sunak, Zelensky takohet me Macron dhe Scholz, siguron mbështetjen e Francës dhe Gjermanisë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është takuar mbrëmjen e së mërkurës (8 shkurt), me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz. Udhëtimi  i Zelenskyt drejt Francës, vjen pas vizitës që zhvilloi po të mërkurën në Britani, ku u takua nga afër me Kryeministrin Rishi Sunak.

Në takimin që zhvilloi me Macron dhe Scholz, presidenti Zelensky konfirmoi pjesëmarrjen në samitin që do të mbahet këtë të enjte (9 shkurt) në Bruksel, ku liderët e BE-së do të zotohen për mbështetjen e tyre për popullin ukrainas.

Presidenti Macron, në fjalën e tij gjatë fjalimit të mbajtur në pallatin Elysee, siguroi Ukrainën në mbështetjen e Francës. Sipas Macron, e ardhmja e Evropës varet nga ajo që ndodh në Ukrainë dhe Rusia, theksoi ai, nuk duhet të fitojë.

Ukraina mund të mbështetet te Franca, partnerët e saj evropianë dhe aleatët për të fituar luftën. Rusia nuk mund dhe nuk duhet të fitojë. Krimi i agresionit nuk mund të tolerohet në asnjë rrethanë, dhe aq më pak nëse kryhet nga një fuqi si Rusia. E ardhmja e Evropës varet nga ajo që ndodh në Ukrainë. Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për këtë”, tha Macron.

Vizita shënon një kthesë në marrëdhëniet e Zelenskyt me Francën dhe Gjermaninë, të cilat më herët gjatë luftës u konsideruan nga shumë në Ukrainë se nuk po bënin mjaftueshëm për të ndihmuar.

Turneu evropian i Zelenskyt dhe lutjet për armë më të avancuara erdhën ndërsa Ukraina përgatitet për një ofensivë të pritshme ruse dhe zhvillon planet e veta për të rimarrë tokën e mbajtur nga forcat e Moskës. Mbështetja perëndimore ka qenë kyçe për mbrojtjen e ashpër të Kievit dhe të dy palët janë të angazhuara në beteja të vështira.

Udhëtimi i Zelenskyt në kryeqytetet evropiane të mërkurën ishte vetëm udhëtimi i tij i dytë jashtë vendit që nga pushtimi i Rusisë më 24 shkurt 2022. Në dhjetor, ai udhëtoi në Uashington ku u takua me Presidentin Joe Biden dhe iu drejtua më pas Kongresit Amerikan.

/rtsh.al/