RTSH 24 Live

Ekonomi

Thirrja e katërt e IPARD II, Rama: Momenti, për ata që duan të investojnë në turizmin rural!

12/01/2022

Thirrja e katërt e IPARD II, Rama: Momenti, për ata që duan të investojnë në turizmin rural!
 

Në 10 janar u hap thirrja e katërt e programit IPARD II që do të zgjasë deri më 25 shkurt 2022.

Me ftesën për të aplikuar në këtë thirrje, Kryeministri Edi Rama tha se “për të gjithë ata që duan të investojnë në fushën e turizmit rural, ky është momenti”.

“Mirëmëngjes me thirrjen e katërt për financimin e projekteve në fshat, përmes programit evropian IPARD; për të gjithë ata që duan të investojnë në fushën e turizmit rural, ky është momenti! Klikoni në linkun www.azhbr.gov.al dhe investoni për fshatin dhe familjen tuaj.
Ditë të mbarë të gjithëve”, tha Rama.

Aplikimet mund të dorëzohen nga të gjithë personat fizikë dhe juridikë që kanë veprimtari brenda territorit shqiptar në fushat e prodhimit bujqësor /ose të agropërpunimit dhe rural që bien brenda masës 7.

Thirrja për të aplikuar hapet për masën 7 e njohur si “Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit” me fokus turizmin rural dhe të natyrës, punimet e artizanatit dhe industrinë e manifakturës si dhe prodhimin e energjisë së rinovueshme.

Buxheti i përgjithshëm në dispozicion të kësaj thirrje është 4.1 milionë euro, nga të cilat 75% ose 3.075 milionë euro kontribut i BE dhe 25% ose 1.025 milion euro kontribut i buxhetit të shtetit.

Shuma minimale e totalit të shpenzimeve të pranueshme që mbështet investimin me grante nga ky program, është 10 mijë euro ndërsa ajo maksimale 400 mijë euro.