RTSH 24 Live

Rajon

Thellohet kriza politike në Malin e Zi

26/01/2022

Thellohet kriza politike në Malin e Zi

Partitë e koalicionit qeverisës në Mal të Zi, vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje serioze rreth mënyrës së qeverisjes. Lëvizja Qytetare “Ura” e udhëhequr nga zëvëndëskryeministri malazez, shqiptari Dritan Abazoviç, ka propozuar formimin e një qeverie të pakicës si model për tejkalimin e krizës.

Por kjo ka ngjallur edhe reagimin e kryeministrit Zdravko Krivokapiq i cili pak ditë më parë i dorëzoi parlamentit nismën për shkarkimin e Abazoviç. Ndërkaq dy deputetë të partive shqiptare kërkojnë rrëzimin e qeverisë. Genci Nimanbegu deputet i Listës Shqiptare, dhe Fatmir Gjeka deputet i Partisë Demokratike Shqiptare, thanë për RTSh se mosfunksionimi i qeverisjes ka bërë që Mali i Zi,  i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ka hapur të gjithë kapitujt për integrimin evropian,gjatë qeverisjes së Krivokapiqit ka bërë hapa pas. Sipas tyre e vetmja rrugëdalje është rrëzimi i kësaj qeverie. Kjo do të ndodhë më 4 shkurt, ditën kur është parashikuar mbledhja e parlamentit për shkarkimin e numrit dy të qeverisë malazeze Dritan Abazovic.  

Shqiptarët në Mal të Zi shprehen se partitë politike shqiptare janë nën trysninë e politikave që ka përgatitur qeveria e kryeministrit Zdravko Krivokapiq. Sipas tyre shqiptarëve në Mal të Zi nuk u lypen disa parti politike, por më së shumti dy parti të forta të cilave nuk do t'u mungojë profesionalizmi dhe përgjegjësia politike.

Qeveria e Krivokapiqit, dalë nga zgjedhjet e gushtit të 2020-ës erdhi në pushtët  më 4 dhjetor të këtij viti me votat e deputetëve nga Fronti Demokratik, parti kjo pro-serbe, dhe Lëvizjes "Ura" dhe Demokratëve. Ky koalicion pas 3 dekadash kaloi në opozitë   Partinë Demokratike të Socialistëve e Gjukanoviqit. Por Krivokapiqi duket se do e humbasë shumë shpejt mandatin. Më 4 shkurt më shumë në Kuvend pritet të votohet mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë e nga ana tjetër dhe shkarkimi i Abazoviq, kërkuar nga kryeministri malazez.