RTSH 24 Live

Europë

Tensionet Rusi-Ukrainë, SHBA do dërgojë anije luftarake në Detin e Zi

10/04/2021

Tensionet Rusi-Ukrainë, SHBA do dërgojë anije luftarake në Detin e Zi

Për shkak të shkallëzimit të situatës në rajonet kufitare të Ukraninës Lindore, Rusia ka kërcënuar me ndërhyrje ushtarake për të mbrojtur qytetarët e saj. Në rast të ndezjes së luftimeve, Rusia nuk do të shohë duarkryq „një katastrofë njerëzore" të mundshme, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov sipas agjencisë së lajmeve, Interfax. Doktrina ushtarake e Rusisë e lejon intervenimin ushtarak në mbrojtje të qytetarëve rusë. Banorëve rusishtfolës, Moska i jep që nga viti 2019 mundësinë të marrin nënshtetësinë ruse, pavarësisht protestave ndërkombëtare. Më shumë se 400.000 qytetarë atje kanë ndërkohë një pasaportë ruse.  Ushtria në Ukrainë i hodhi poshtë akuzat, për përgatitje të mundshme të një sulmi kundër rajoneve separatiste proruse në lindje. Prej ditësh të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për shkallëzimin e ri të gjendjes në konfliktin që zgjat prej 7 vjetësh. Rusia dhe Ukraina dërguan trupa në rajonet në lindje duke e rindezur edhe më shumë konfliktin.  Ndërkohë Turqia raporton, se SHBA do të dërgoje dy anije luftarake në Detin e Zi. Ankaraja është informuar para dy javësh përmes kanaleve diplomatike për kalimin prej tyre të ngushticës së Bosforit, bëri të ditur një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme në Ankara. Kalimi tranzit është planifikuar në 15 e 16 prill.  Kremlini po ashtu bëri të ditur, se të premten, Putin telefonoi me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan. Ai theksoi se plani i paqes së vitit 2015 është baza për dhënien fund të konfliktit. Ndërsa këtë të shtunë Erdogan pritet të takohet me presidentin ukrainas, Zelenskyj.